Kredencialet-Amb-Kryeziu1-1

Kosova bëhet me Ambasadë në Portugali

Ministria për Punë të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se është hapur një ambasadë e re e Kosovës, në Portugali. Siç bëhet e ditur përmes kësaj komunikate, të enjten me anë të një ceremonie zyrtare nga shteti pritës, u akreditua edhe zyrtarisht ambasadori i parë i Kosovës, Ylber Kryeziu, i cili i dorëzoi letrat kredenciale presidentit portugez, Marcelo Rebelo de Sousa.

“Republika e Kosovës ka bërë edhe një shtrirje të re diplomatike në Evropë me hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës edhe në një shtet të rëndësishëm në Evropë, i cili është anëtarë i NATO-s dhe Bashkimit Evropian,  Republikën portugeze. Të enjten, me anë të një ceremonie zyrtare nga shteti pritës u akreditua edhe zyrtarisht, Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në shtetin portugez, z. Ylber Kryeziu, i cili i dorëzoi letrat kredenciale, Presidentit të Republikës portugeze, Marcelo Rebelo de Sousa”, bëhet e ditur në komunikatë.

Më tej bëhet e ditur se ambasadori i Kosovës i ka përcjellur presidentit të Portugalisë,  urimet e presidentit të Kosovës dhe përkushtimin institucional për të thelluar bashkëpunimin.

“Me këtë rast, Ambasadori Kryeziu i përcolli Presidentit të këtij shteti de Sousa urimet e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe përkushtimin Institucional për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve. Republika e Kosovës vendosi të hap për herë të parë Ambasadë në shtetin portugez gjatë vitit të kaluar, veprim ky, që u mirëprit dhe vlerësua lart edhe nga autoritetet e shtetit pritës”, bëhet e ditur në komunikatën e MPJ-së.

Portugalia e kishte njohur Republikën e Kosovës pak muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për konsolidimin e shtetit të ri dhe integrimin e tij në Organizatat Ndërkombëtare.

11 Janar 2019 - 11:31

Naim Krasniqi 11/01/2019 - 11:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend