Philip S. Kosnett - Ambasadori i SHBA-se ne Kosove

Kosnett: Shoqëria civile dhe mediat të jenë më të zëshme përballë padrejtësive

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, u bëri thirrje shoqërisë civile dhe mediave që të jenë më të zëshme në denoncimin e korrupsionit, padrejtësive dhe pabarazisë në shoqëri.

Gjatë një debati të organizuar në Prishtinë nga Lëvizja “Fol”, ambasadori amerikan tha se barazia ligjore dhe llogaridhënia sjellin më shumë shpresa te popullata dhe japin sinjal të mirë para botës për Kosovën.

“Ka shumë mjete në demokraci, të cilat qytetarët i kanë në dispozicion për t’i sfiduar vendimet e qeverisë, të cilat i konsiderojnë të padrejta. Andaj, është me rëndësi që shoqëria civile dhe mediat të luajnë rolin e tyre”, tha Kosnett.

Sipas tij, edhe protestat paqësore janë mjet që sot përdoren në shoqëritë demokratike për t’i sfiduar vendimet e padrejta të qeverive.

“Nëse shoqëria civile dhe mediat janë më të zëshme, edhe ndryshimet mund të ndodhin”, theksoi Kosnett.

Ai foli kryesisht për aspekte nga sundimi i ligjit dhe gjyqësori, përderisa në teori, Kosnett lavdëroi shumë ligje që kanë miratuar institucionet e Kosovës dhe të cilat tha se janë shembull edhe për vende të tjera.

Sfidë, tha Kosnett, mbetet zbatimi i ligjeve në praktikë.

Nga praktikat e këqija, ai mori si shembull rastin e veteranëve të “rrejshëm” të luftës, të cilët tha se janë shndërruar në përfitues të shumë benificioneve.

Një çështje tjetër që Kosnett përmendi ishte edhe punësimi i njerëzve mbi bazën e përkatësisë partiake dhe familjare dhe jo mbi bazën e meritave.

Po ashtu, ai përmendi rastin me tokën e Manastirit të Deçanit, për të cilin tha se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Kisha ka pronësi mbi disa parcela të tokës, por zyrtarët komunalë, me mbështetjen e disa zyrtarëve qeveritarë, e kanë kontestuar vendimin e Kushtetueses.

Vendimet e gjykatave, rikujtoi ai, “nuk u nënshtrohen interpretimeve apo edhe më pak negociatave politike”.