Philip Kosnett - Ambasadori i ShBA-së - RTK

Kosnett përgëzon shoqërinë civile për nismën kundër projektligjit për financimin e partive

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e ka përgëzuar shoqërinë civile dhe nismën e tyre për të kundërshtuar amandamentet problematike në projekt-ligjin për financimin e partive politike.

“Përgëzojmë shoqërinë civile për ngritjen e zërit ndaj amendamenteve problematike në projekt ligjin për financimin e partive politike. Ligji duhet të bëjë partitë e Kosovës më transparente dhe të përgjegjshme ndaj qytetarëve që iu shërbejnë, dhe jo për të promovuar interesa personale ose politike”, ka shkruar ambasadori Kosnett në Twitter.

Më 17 qershor, disa prej përfaqësuesve të shoqërisë civile kanë marshuar drejt zyrave të gjashtë partive më të mëdha në vend për të kundërshtuar projektligjin për financimin e partive politike.

Por ky marsh ka përfunduar me incident në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi sigurimi i PDK-së nuk pranonte që aktivistët e shoqërisë civile të futën në oborrin e kësaj partie dhe të ngjisin mesazhet e marshit.

Por tjetër atmosferë aktivistët e shoqërisë civile patën në Lëvizjen Vetëvendosje, ku deputetët e kësaj partie i dolën në përkrahje atyre.

Ata para selisë kishin vendosur edhe një ‘shenjë’ pajtimi me marshin e shoqërisë civile, me mesazhin “Pajtohemi! Ligji nuk kalon”.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë të ditur së përkrah protestën e shoqërisë civile.

Apostolova protestën e ka quajtur “një kujtesë e rëndësishme për nevojën e llogaridhënies, mbikëqyrjes, transparencës dhe zbatimit efektiv të vërtetë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë të merret vendim për tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Partive Politike nga Kuvendi i Kosovës.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.