Kosnett: Kosova e meriton të ketë ushtrinë e saj

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett e ka quajtur hap të natyrshëm transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ai në një intervistë për “RTK” ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe se ka të drejtë për një gjë të tillë.

“Uashingtoni vazhdimisht e ka mbështetur zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur. Ne kemi investuar shumë para; kemi kaluar shumë kohë në trajnime; kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”, ka thënë Kosnett.

Ai po ashtu ka shtuar se me këtë gjë Kosova po tregon se nuk dëshiron të jetë vetëm konsumues e sigurisë ndërkombëtarë por “ajo mund edhe ti kontribuojë asaj”.

Ambasadori amerikan ka ritheksuar se transformimi i FSK-së në FAK nuk do të ndikojë në sigurinë rajonale, siç ishte thënë nga NATO.

“Ky është një proces i gjatë, e di se njerëzit disa njerëz në vendet fqinje janë mbërthyer në një datë të caktuar që po afrohet shumë shpejt dhe i kanë shprehur shqetësimet e tyre se transformimi i FSK-së do të mund të kishte ndërlikime negative për siguri. Do të dëshiroja të them se ky është një proces që do të marrë shumë vite, që Kosova ka cdo arsye, ka të drejtë të ketë aftësi vetëmbrojtëse”, ka deklaruar Kosnett duke shtuar se ajo duhet të bëhet forcë multietnike.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar Prishtinën zyrtare se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ai gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj duke i thënë se nuk është koha e duhur për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

 

https://kallxo.com/stoltenberg-ia-perserit-haradinajt-nuk-eshte-koha-per-themelimin-e-ushtrise/