Kosnett: Infrastruktura moderne sjellë zhvillim

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett në përurimin e autostradës Prishtinë-Han i Elezit ka thënë se vetë prezenca e kaq shumë përfaqësuesve rajonal, flet për rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin.

Ai tha se këtë ditë e kemi pritur gjatë edhe pse ky projekt për shumë ka qenë skeptik.

“Disa kanë thënë që projekti është shumë i shtrenjtë apo se është shumë i avancuar për nevojat e Kosovës. Unë besoj se vendimi për të ndërtuar rrugën 6 ka qenë i duhur. Infrastruktura moderne sjellë zhvillim dhe mundëson punësim. Përmirëson transportimin dhe jo vetëm që mund të sjellë lidhje të forta ekonomike mes fqinjëve por lidh edhe marrëdhëniet politike dhe ato mes njerëzve”, ka deklaruar ai.

Sipas ambasadorit amerikan, projektet komplekse infrastrukturore gjithashtu sjellin mundësi për zhvillimin e qeverisë dhe individëve, si dhe mundësojnë zhvillimin e aftësive në planifikimin e projekteve.

“Besoj se atë që e ka mësuar kjo ministri e Kosovës do të vazhdojë të zhvillojë plane të tjera të mëdha për të zhvilluar kapacitete lokale. Sikur projekti i mëhershëm i Bechtel&Enka-s në rrugën e 7, për të lidhur rrugën e Prishtinës dhe Prizrenit, është dëshmi se partnerët amerikanë dhe turq mund të arrijnë kur punojnë së bashku. Ju uroj rrugë të mbarë”, ka thënë tuje ai.

Pas një pune të gjatë prej disa vitesh, sot u përurua autostrada Prishtinë – Elez Han “Arbën Xhaferi”, e cila i ka kushtuar buxhetit të vendit rreth 700 milionë euro.

Në hapje po marrin pjesë krerët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e zyrtarë të tjerë ishin të pranishëm në ceremoninë inauguruese.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup po bëhet me pesë muaj vonesë, pasi një gjë e tillë ishte e planifikuar të bëhej më 31 dhjetor të vitit 2018, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Për këtë autostradë, nga buxheti i shtetit i janë paguar 53 milionë euro më shumë kompanisë punëkryese Bechtel & Enka.

Lidhur me punët që i kanë kryer disa kompani vendore kanë protestuar para kampit të Bechtel – Enka-s në Ferizaj, për moskryerjen e pagesave për punët që sipas tyre i kane kryer për Bechtel – Enka-n.

Ndërkohë, Qeveria të martën (28.05.2019) ka vendosur për investime shtesë, pasi pritet të ndërtohen edhe dy kyçje të reja në këtë autostradë, një në Ferizaj dhe një në Viti, dy kyçje këto që ende nuk është bërë publike sa do kushtojnë.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dy ditë më parë i ka obliguar gjithë stafin e Ministrisë që të jenë prezent në ceremoninë e përurimit të kësaj autostrade.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e po e përfundon sot, ministri nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë në rajon, me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Kjo rrugë lidhë shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë Veriore.

Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?