Philip Kosnett - Ambasadori i ShBA-së - RTK

Kosnett: Ata që kryen krime duhet të gjykohen

Ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett, tha se realiteti i krimeve në Mejë është aq i tmerrshëm.

“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetët e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata qe vdiqën qe Kosova të jete e lirë”, tha ai.

Kosnett tha se Kosova dhe vendet fqinje duhet të pranojnë të diskutojnë për të kaluar, duke nënkuptuar se për këtë Serbia të pranojë fajësinë për krimet e kryera para 20 vitesh, ndërsa edhe në Kosovë të gjykohen ata që dyshohen për krime.

“Për hir të gjeneratave që vijnë pas e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejtë për çastet e errëta të historisë suaj te përbashkët. Për disa kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit, qe rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijëra dhe për t’u siguruar qe përgjegjësit të japin llogari të plotë. Për popullin e Kosovës duhet të nënkuptojë qe ju dhe demokracia juaj t’i përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë qe kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetër kund i janë shmangur drejtësisë deri tash”, tha Kosnett.

Sipas tij, duhet një përkushtim më i madh nga Kosova dhe Serbia për t’i gjetur dhe kthyer trupat e te pagjeturve duke punuar ne mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion.