Foto: Kallxo.com

KOSID: Termocentrali i ri do të Djegë të Ardhmen e Kosovës

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) reagoi lidhur me vendimin e qeverisë për të nënshkruar marrëveshje me kompaninë ‘Contour Global’, për ndërtimin e një termocentrali të tretë në Kosovë.

Marrëveshjet finale për termocentralin ‘Kosova e Re’, priten të nënshkruhen brenda disa ditësh dhe kjo sipas KOSID është një e keqe e madhe për vendin

“Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të proceduar me arritje të marrëveshjes me Contour Global është strategjikisht i gabuar për sektorin e energjisë së Republikës së Kosovës. Kjo sepse vë gjithë kapacitetet financiare, humane dhe institucionale në shërbim të zhvillimit të një teknologjie në vdekje siç është ajo e djegies së linjitit. Në vend se institucionet e Kosovës të punojnë në përmbushjen dhe zgjerimin e caqeve për efiçiencë të energjisë dhe për energji të prodhuar nga burime të gjelbra, Qeveria jonë prioritizon investime miliardëshe në projekte të së kaluarës”, thuhet në reagimin e KOSID.

Përveq aspektit mjedisor, sipas KOSID, termocentrali i ri do të sjellë dëme në imazhin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe dëme ekonomike.

“Projekti “Kosova e Re” minon të ardhmen evropiane të Kosovës. Në procesin integrues, ai bie ndesh me politikat evropiane të dekarbonizimit, ato të liberalizimit dhe integrimit të tregut dhe me standardet mjedisore e shëndetësore. Vendosja e një çmimi në karbon do të jetë patjetër e obligueshme për Kosovën. Kur kësaj i shtojmë koston shtesë shëndetësore dhe mjedisore e djegies së linjitit që kalon mbi 10 cent për kilovat[3] del që ky vendim është edhe ekonomikisht i pafavorshëm”, thuhet tutje në reagim.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj thotë se janë pajtuar me kompaninë amerikane “Contour Global” për marrëveshjet komerciale dhe se me datën 20 dhjetor pritet të nënshkruhen marrëveshjet.

Qeveria e re po synon të finalizojë projektin e termocentralit të ri që po hyn në vitin e 13-të nga kur është ideuar.

KALLXO.com ka raportuar  në vazhdimësi lidhur me marrëveshjen për ‘Kosovën e Re’, si dhe reagimet e shoqërisë civile për ndërtimin e këtij termocentrali dhe shkrimet mund ti lexoni këtu.