Oxhak i një termocentrali me qymyr | Foto: Flickr

KOSID: Marrëveshja për 'Kosova e Re', e Dëmshme për Qytetarët

Njoftimi për arritjen e marrëveshjes për fillimin e ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ po shihet si tejet e dëmshme nga shoqëria civile në aspektin social dhe mjedisor.

Brenda disa ditëve pritet që të finalizohet marrëveshja në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e një termocentrali të tretë në vend.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) konsideron se marrëveshjet që pritet të nënshkruhen më 20 dhjetor, për termocentralin nuk kanë qenë transparente, ndërsa i tërë procesi sipas tyre, ka qenë i parregullt.

Visar Azemi nga KOSID tha për KALLXO.com se me termocentralin e ri janë krijuar favore vetëm për kompaninë investuese ndërsa pritet të rritet kostoja e energjisë elektrike për kosovarët.

”Unë konsideroj se kjo marrëveshje është sa e gabuar edhe e dëmshme për qyetarin, për sistemin financiar të vendit dhe për ambientin gjithashtu. Kushtet kontraktuale për të cilat ne nuk i dimë, është mbajtur në fshehtësi gjatë gjithë kohës, janë tejet të dëmshme. E tëra kjo do të reflektojë në tarifat që do ti kushtojnë qytetarit të Kosovës.Ky projekt është për më shumë se 10 vite dhe asnjë qeveri nuk ka arritur të negociojë diçka e cila do ti shkonte në favor qytetarit por gjithmonë kanë negociuar për terme që janë të favorshme për kompaninë investuese”, tha Azemi.

Visar Azemi, KOSID. Foto: Facebook

Megjithëse Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj arritjen e marrëveshjes e konsideroi sukses shtetëror, sipas Azemit ajo po e largon Kosovën edhe nga trendet globale të ruajtjes së ambientit.

“Kosova po tenton që të gjenerojë  kapacitete të reja të energjisë në bazë të qymyrit por po ikë gjatë gjithë kohës trendeve globale  dhe targeteve të cilat duhet ti përmbushë që janë në kuadër të procesece integruse. ‘Kosova e Re’ po ndërtohet për maksimizimin e përdorimit të rezervave të linjitit duke u thirrur në emër të sigurisë energjetike në vend por duke përjashtuar gjithmonë mundësinë që siguria energjetike të arrihet me diversifikim të burimeve të energjisë duke shtuar kapacitetet e burimeve të ripërtritshme që janë një obligim për Kosovën për të ecur tutje”, tha Azemi.

Projekti për termocentralin ‘Kosova e Re’, që dikur ishte emërtuar edhe ‘Kosova C’, filloi në vitin 2005 si projekt në qeverinë e udhëhequr nga Bajram Kosumi(AAK).

Janë bërë afro 13 vite pa u arritur finalizimi i marrëveshjes në mënyrë që të fillojë ndërtimi i këtij termocentrali që konsiderohet se do të evitojë një ‘krizë energjetike’ për Kosovën.

Në anën tjetër, Azemi insiston se pasojat ambientaliste dhe sociale pas ndërtimit të këtij termocentrali nuk tejkalojnë nevojat për evitimin e një krize energjetike.

“Faturat e energjisë elektrike me ndërtimin e termocentralit do të rriten në mbi 50 përqind. Kostot e ambientit do të jenë gjithashtu të mëdha sepse djegja e linjitit është jashtëzakonisht e dëmshme për ambientin”, deklaron Azemi.

Ai po ashtu konsideron se qeveria duhet të jetë plotësisht transparente lidhur me marrëveshjet e arritura me ‘Contour Global’.

“Megjithatë ne i bëjmë thirrje qeverisë Haradinaj që ta bëjë publike marrëveshjen e arritur dhe ti tregojë të gjitha detajet se çfarë në fakt do të ndodhë pas ndërtimit të termocentralit. Një marrëveshje po bëhet pa e kompletuar studimin e ndikimit në mjedis dhe atë social që është parakusht i Bankës Botërore”, shtoi ai.