KOSID-i Kërkon të Shqyrtohet Peticioni i Qytetarëve Kundër Shtrenjtimit të Rrymës

Konzorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm kërkon nga Kuvendi i Kosovës që të merren parasysh të gjitha pikat e peticionit kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Me anë të këtij peticioni në shtator të vitit të kaluar organizatorët dhe nënshkruesit patën kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që përmes një rezolute të anulojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që më 29 gusht shtrenjtoi rrymën për 5.18 për qind.

Me peticion gjithashtu kërkohej të amendamentohet Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku do të largohej TVSh-ja prej 16 për qind nga fatura e energjisë elektrike.

Kur u diskutua për këtë peticion më tetë maj, në seancën e kaluar të Kuvendit, ministri i Financave Avdullah Hoti paralajmëroi se së shpejti do të sillej në Parlament Ligji për TVSh-në, i cili do ta zvogëlojë ngarkesën tatimore për energjinë elektrike nga 16 në tetë për qind.

Në një konferencë për media të zhvilluar sot, përfaqësues të KOSID-it, ngritën shqetësimet që Kuvendi nuk e ka në rend të ditës të seancës së stome plenare këtë peticion.

Kushtrim Puka nga KOSID u shpreh se peticioni duhet të shqyrtohet me të gjitha pikat që gjenden në të, duke mos i ndryshuar ato.

“Peticioni të shqyrtohet peticioni i tërësishëm, me të gjitha kërkesat që kanë qenë, të cilat janë nënshkruar prej 33 mijë qytetarëve, e jo të modifikohen”, tha Puka.

Në Kuvendin e Kosovës ky peticion u diskutua para një jave, ndërsa u nxorën për t’u votuar jo pikat e peticionit, por pikat e modifikuara nga Komisioni për Peticione.

Mbeti e paqartë nëse këto pika të modifikuara kaluan në Kuvend, ose jo, pasi për to votuan 42 deputetë e katër ishin kundër, në kohën kur në seancë të pranishëm ishin 65 deputetë.

Rinora Gojani nga KOSID-i apeloi tek deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kenë parasysh propozimin për ndryshimin e Ligjit për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

“Sipas së cilit duhet të obligohet që ZRrE-ja të ndryshojë rregullat për vendosjen e çmimeve”, shtoi ajo.

Po ashtu, KOSID-i kërkoi zbatimin e ligjeve që lidhen me energjinë.

“Kërkojmë vetëm të zbatohen ligjet të cilat janë në fuqi dhe të bëhen disa ndryshime të nevojshme”, tha Gojani.

Peticionin kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike e patën nënshkruar 33 mijë qytetarë të Kosovës.