KOSID dhe FIQ: Zhvendosja e Detyruar Varfëroi Banorët e Obiliqit

Projekti i Qeverisë së Kosovës për zhvendosjen e detyruar të popullsisë nga fshatra të Obiliqit me qëllim të shfrytëzimit të linjitit për prodhim energjie elektrike dhe ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” në vend se të krijojë vende të reja pune ka krijuar varfëri për popullsinë e Obiliqit. Kështu u tha sot në konferencën e KOSID-it dhe FIQ-it, ku u fol për të zhvendosurit nga afërsia e mihjeve sipërfaqësore.

Mungesa e përfaqësuesit të Bankës Botërore në këtë konferencë është kritikuar nga organizatorët.

Qeveria e Kosovës më 19 dhjetor të vitit 2014 hapi ofertën e vetme për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik tha se tenderimi është kryer sipas procedurave të Bankës Botërore.

Hapjen e kësaj oferte e kundërshtoi Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) duke e konsideruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Banka Botërore tha për Gazetën Jeta në Kosovë në janar se tenderimi për termocentralin është kryer sipas ligjeve të vendit, e jo ashtu si thonë qeveritarët kosovarë.

“Banka Botërore sot nuk ka gjetur kohë për t’u ballafaquar me komunitetin për shqetësimet e këtij projekti, pra për zhvendosjen e detyruar që ka ndodhur”  u shpreh Visar Azemi  nga KOSID-i, duke folur për popullatën që u desh të largohet nga fshatrat e Obiliqit për t’i bërë vend shfrytëzimit të linjitit.

KOSID-i në vitin 2012 kishte kontraktuar Dr. Tedd Downingun për ta hulumtuar projektin e zhvendosjes dhe risistemimit, projekt i cili kishte për qëllim ta vërtetojë nëse janë respektuar standardet ndërkombëtare.

“Shpeshherë në projekte të tilla thuhet që zbatohen standardet ndërkombëtare, e për ta vërtetuar këtë KOSID-i kontraktoi Dr. Tedd Downing- un për ta vërtetuar se a janë respektuar standardet ndërkombëtare,” tregoi Dajana Berisha, përfaqësuese e FIQ-it

Ajo duke vazhduar më tutje, kritikoi këtë projekt duke thënë se në vend që të sjell zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune, ai ka sjellë varfëri te banorët e kësaj ane.

“Një projekt i tillë madhor synon të krijojë vende pune, një projekt i tillë supozohet të krijojë zhvillim, në të vërtetë ajo që ka ndodhur është ngritur niveli i varfërisë,” konstatoi Berisha.

Prezantimin e punës së Dr. Tedd Downing-ut e bënë përfaqësuesi i FIQ-it Meivis Struga dhe përfaqësuesja e  INDEP-it Rinora Gojani.

Ata thanë se hulumtimi ka konsideruar se shumë nga rregullat ndërkombëtare janë shkelur dhe duke e konsideruar projektin si të dështuar. Dr. Tedd Downing ka arritur në përfundim se nuk janë respektuar dispozitat e standardeve ndërkombëtare për përfitimet e banorëve, në metodën e zhvendosjes së tyre dhe në shumë raste tjera.

Në konferencë ishte prezent edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi. Ai pranoi se të gjitha problemet e përmendura nga raporti i hartuar nga Dr. Tedd Downing janë prezente në komunën që drejton dhe se duhet një punë e madhe për t’i zgjidhur ato.

“Komuna e Obiliqit ka shumë probleme, mund të them se në fshatrat Hade, Shipitullë dhe Sibovc nuk është investuar fare si nga niveli i institucioneve qendrore ashtu edhe nga niveli i institucioneve komunale,” tha Gashi

Konferenca është përmbyllur me një diskutim në të cilin kishin mundësinë të inkuadrohen të gjithë pjesëmarrësit.

Fatih Sylka