Oxhak i një termocentrali me qymyr | Foto: Flickr

KOSID: Banka Botërore po mbështet zhvillimin e energjisë së pastër në Kosovë

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), vlerësoi si pozitiv vendimin e fundit të Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin e energjisë së pastër në Kosovë dhe në rajon. Reagimi i KOSID vjen disa ditë pas raportimeve se Banka Botërore nuk do të përkrah projektin e Kosovës së Re.

KOSID përmes një njoftimi bëri të ditur se mbështesin qëndrimin e BB-së ku thuhet se : “Ritmi i ndryshimit të teknologjisë në sektorin e energjisë po lëvizë me shpejtësi, veçanërisht në burimet e energjisë së ripërtëritshme, si asaj solare, përmes erës, ruajtjes, ku çmimet vazhdojnë të bien. Analiza jonë është duke marrë parasysh këto zhvillime dhe ne po e informojmë qeverinë.”

“KOSID vazhdimisht ka theksuar se fokusi në qymyr paraqet barrierë për tranzicionin e energjisë në Kosovë, andaj, KOSID përkrah qasjen e Bankës Botërore për të mbështetur sektorin e energjisë në përputhje me Marrëveshjen e Parisit dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke përfshirë investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtëritshme të energjisë”, thuhet në njoftim

Sipas kësaj organizate me këtë vendim, Banka Botërore përcaktohet për të zbatuar një plan modern, të qëndrueshëm dhe të pastër të energjisë për vendin, e me ndikim pozitiv për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe sipas  ky është një tregues i madh i zbatimit të strategjisë së Bankës Botërore për zhvillimin e gjelbër e në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Duke e kuptuar rolin vendimtar të Bankës Botërore në avancimin e sektorit të energjisë së pastër në Kosovë, KOSID shpreh gatishmërinë për bashkëpunim në orientimin e sektorit të energjisë në Kosovë drejt investimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme, dhe interkoneksion – investime të cilat mundësojnë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe krijimin e sigurisë së energjisë në përputhje me objektivat dhe kriteret e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në njoftim

KOSID përkrah qëndrimin e BB-së, përmes së cilës ofrohet mundësia e tranzicionit të sektorit të energjisë në vend, në një model në nivel global i cili ngërthen një ekonomi të qëndrueshme, të besueshme, dhe me bazë energjinë e pastër.