Emin Beqiri

Korrupsioni në sistemin e drejtësisë, O’Connell përmend rastin e lirimit dhe gradimit të Emin Beqirit

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka folur për korrupsionin në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ndikimet që që ambasadori i quajti “kapje e shtetit”.

O’Connell ka përmendur rastin e Emin Beqirit, ish-shef i Krimeve Ekonomike të Policisë, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pengim të provuarit dhe moslajmërim të veprës penale, ku pas lirimit nga akuza u gradua në detyrë, si komandant i Policisë për rajonin e Ferizajt.

Ambasadori përmes Facebook-ut është pyetur nga një qytetar nëse mendon se “problemi kryesor në Kosovë janë gjykatësit e korruptuar”.

Lidhur me këtë,  O’Connel është përgjigjur se ky është vërtetë një problem.

“Rasti i Emin Beqirit më vjen në mendje. Ai ishte incizuar duke u përfshirë në gjëra të këqija. Ai u shpall i fajshëm nga Gjykata themelore, dhe është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, përderisa Gjykata Supreme e sheh si jo të ligjshme, por sipas standardeve të të drejtave të njeriut që janë të rëndësishme që në përgjithësi, Beqiri nuk vuajti asnjë dënim. Dhe pastaj transferohet dhe nuk largohet nga puna nga ana e policisë. Ai është shef i Policisë në Ferizaj”, thotë ambasadori.

Sipas O’Connell, kjo ndikon edhe në investimet e mundshme të Britanisë në Kosovë.

“Unë kam investitor Britanik të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe të ju them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’ju ruaj’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit”, është shprehur ai.

Sipas ambasadorit, është jetësore që ndryshimet të ndodhin dhe se janë duke punuar me Ministrinë e Drejtësisë.

“Është me rëndësi të themi dy gjëra: Kosova ka nevojë për asistencë që të sigurohet integriteti i gjykatësve dhe prokurorëve që këto mos të ndodhin në të ardhmen. Por edhe këta gjykatës dhe prokurorë të cilët nuk pajtohen me atë që ndodhë, të tregojnë trimëri”, tha O’Connell.

“Kemi parë disa arrestime javën e kaluar dhe është me rendësi jetësore që gjithë sistemi të dijë se ne jemi duke vëzhguar dhe Bashkësia Ndërkombëtare është duke vëzhguar. Ne dëshirojmë të shohim rezultate dhe prokurorët sikur z. Hamiti që kanë treguar guxim do kenë gjithmonë përkrahjen tonë”, thuhet në përgjigjen e O’Connell.

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi për rastin e Emin Beqirit.

 

https://kallxo.com/si-shpetoi-pa-u-gjykuar-komandanti-i-policise-se-ferizajt-emin-beqiri/

.