Kopsht botanik për Universitetin e Prizrenit

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Joqeveritare “FINQ”, për të krijuar Kopshtin Botanik për nevojat e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit.

Sipas njoftimit të UPZ-së, kjo marrëveshje është nënshkruar nga Rektori i UPZ-së, Ismet Temaj dhe drejtori i “FINQ”, Nexhmendin Ramadani.

Më tej është sqaruar se në bazë të kësaj marrëveshje, UPZ do të shfrytëzojë një sipërfaqe prej dy hektarësh të kësaj organizate, për Kopshtin Botanik për nevoja të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit.

Hapësira do të shfrytëzohet deri në krijimin e kopshtit botanik, në bashkëpunim me komunën e Prizrenit, ndërkohë që Universiteti i Prizrenit do t’i ofrojë mbështetje kësaj organizate, me ekspertiza të ndryshme, shfrytëzimin e laboratorëve dhe hapësirave të FSHJM-së.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, Isuf Lushi dhe shefi i programit të Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit, Faruk Bojagji.