Koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, u takua me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj Foto: KALLXO.com

Koordinatori Hoti kërkoi nga SBAShK-u që ta ndihmojnë dhe kritikojnë rreth Programit Nacional për Rini

Koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, sot u takua me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj ku diskutuan rreth Programit Nacional për Rininë, ku mes tjerash kërkoi nga SBAShK-u që ta ndihmojnë rreth këtij programi, por edhe ta kritikojnë.

Përmes këtij takimi u bë e ditur se shkollat fituese në nivel komunal do të fitojë dhjetë mijë euro dhe se përveç komunave në Kosovë, programi do të përfshijë edhe shkollat dhe nxënësit në nivel rajonal.

Koordinatori Rexhep Hoti deklaroi se deri tani nuk ka ekzistuar një program i tillë që përfshin nxënësin dhe studentin, prandaj theksoi se programi në fjalë synon të ketë gjithëpërfshirje dhe vijueshmërinë nga të gjithë.

Hoti sqaroi se tashmë kanë rregulluar bazën juridike të programit duke nënshkruar kontrata dhe marrëveshje me të gjitha komunat në Kosovë.

“Kemi shpërndarë materialin i cili përmban 18 dokumentacione dhe kemi futur mendimin kritik në këtë program. Komunikimi i nxënësit me mësuesin dhe prindin do të rritet si pasojë e këtij programi. Ka hezitime pak dhe arsyet mund të jenë që ose nuk e kanë kuptuar ose kanë interesa të tjera. Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë për pesë vite nxënësit tanë nuk do të kenë problem me PISA”, Ka thënë Hoti.

Tutje koordinatori njoftoi se ky program parasheh edhe garë ndërshtetërore prandaj edhe kanë filluar bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe me komunat shqiptare në Serbi.

“Për neve të rëndësishme janë garat në shkolla, jo ato në komuna apo shtetërore. Shkolla më e mirë në nivel të Kosovës do marrë 10 mijë euro. Kërkojmë nga ju që të na kritikoni aty ku mendoni që duhet kritikuar”, shtoi koordinatori Hoti.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se Kosova mund të mburret me fëmijët që i ka dhe se ky program do ua jap mundësinë që secili prej këtyre nxënësve të ndjehet i barabartë dhe të kenë rezultat.

“Kjo garë e natyrshme do të jetë kënaqësi për këta fëmijë dhe do të kemi fëmijë më të mirë se sa që i kemi sot. Me kënaqësi do ta bëjmë pjesën tonë të punës, sepse ju përgëzoj. Ky lloj programi i ka munguar shkollave tona. Ju lumtë që nuk i keni harruar edhe trojet shqiptare. Çdo gjë që mund të bëjmë ne mos na kurseni”, ka thënë Jasharaj.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri tha se tashmë janë njoftuar të gjitha shkollat dhe se janë zhvilluar takime me drejtorët dhe mësimdhënësit.

“Jemi në fazën e zhvillimit të garave në kreativitet kulturore dhe mendim kritik. Ndërkaq nga mesi i prillit do të fillojmë me garat në dituri”, deklaroi Guri.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku ka thënë se ky program do të ndihmojë në socializimin e fëmijëve mes vete.

“Përmes garës së mendimit kritik, diturisë dhe përmes sportit, fëmijët do t’i vendosin në pah talentet e tyre. Investimet që do të bëhen do të na kthehen me rezultate”, ka shtuar Morina-Bunjaku.

Në fund të takimit koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, i dhuroi të parit të SBAShK-ut një helmetë ilire, ndërsa deklaroi se nëse ky program gjen implementim adekuat dhe ka sukses, në takimin e radhës do t’ia dhurojë edhe hyjneshën në fron.

Koordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, i dhuroi helmetën ilire kryetarit të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj Foto: KALLXO.com