Policia e Kosovës në aksion - Foto: KALLXO.com

Kontrollohen 272 motele, mbyllen 29

Një operacion policor i nisur dy ditë më parë ka përfunduar me kontrollimin e 272 moteleve dhe bujtinave.

Nga këto kontrolla, sipas policisë janë mbyllur 29 biznese.

“Lidhur me operacionin policor të filluar me datën 11 qershor 2019, ku në fokus ishin veprimtaritë e kundërligjshme në objekte hoteliere ju njoftojmë se deri tani operacioni është realizuar sipas planifikimeve  të parapara. Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim me autoritetet tjera me ç’rast janë kontrolluar 272 lokale (motele/bujtina) dhe ka rezultuar me mbylljen e 29 lokaleve, të cilat nuk i plotësojnë kriteret e parapara sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy ditë më parë policia, në përpjekjet e saj për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, ka zhvilluar planin operacional në drejtim të identifikimit të të gjitha objekteve hoteliere, moteleve (bujtinave) në tërë territorin e Kosovës ku target ishin mbi 100 objekte.

Në këtë operacion policor kanë qenë të përfshira të gjitha njësitet kompetente policore dhe ato të specializuara për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, njësitet kundër trafikimit me qenie njerëzore, pastaj inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës.

Në fazën fillestare të aksionit ishin identifikuar tri lokale që operonin ilegalisht.

“Gjithashtu gjatë kësaj faze të operacionit është takuar edhe një shtetas i huaj i cili kishte në posedim substancë të dyshuar narkotike dhe gjësende tjera (pajisje elektronike-kompjuter) që dyshohet të jenë produkt i veprës penale. Njësitet e antidrogës po ashtu janë involvuar për trajtimin e këtij rasti dhe procedimin sipas procedurave ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.