Pal Lekaj

Kontratat e kohës së Pal Lekaj ende të papërfunduara në Gjakovë

Gjashtë kontrata për projekte kapitale në vlerë totale 1,324,912 euro, të nënshkruara nga Komuna e Gjakovës në vitin 2012 dhe 2013, nuk janë përfunduar as në vitin 2017. Kjo është pasqyruar në Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjakovës për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017. Në vitin 2012 dhe 2013, kryetar i Komunës se Gjakovës ishte Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës.

Planet dinamike të realizimit të këtyre projekteve ishin nga 28 deri në 120 ditë kalendarike. Por, Auditori ka gjetur se këto kontrata ishin nënshkruar në mungesë të buxhetit të nevojshëm.

Buxheti final për investime kapitale në Gjakovë ishte 7,465,982 euro, ndërsa janë shpenzuar 5,476,889 euro, ose 73 për qind e buxhetit.

“Dobësitë aktuale mund të ndikojnë në vlerë të dobët për para, pagesa të parregullta, kosto shtesë si pasojë e padive nga mos pagesa me kohë e obligimeve si dhe vonesa në ofrimin e shërbimeve që mund të rezultojnë në kontrata të cilat nuk zbatohen sipas standardeve të kërkuara”, thuhet në raportin e auditimit.