Ndalimi i makinës për kontrabandim derivatesh | Foto: "Drejtësia në Kosovë"

Kontrabanda Nëpër Terr në Veriun e Kosovës

Ekipet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” për disa ditë monitoruan për kontranbandë derivatesh veriun e vendit, ndërsa të premten u shfaq hulumtimi për këtë kontrabandë.

Në hulumtim u bë e ditur se kontrabanda zhvillohej natën, ndërsa që nga vendosja e doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare në veri në vitin 2011, kontrabanduesit kanë krijuar rrugë anësore nëpër të cilat depërtojnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe pastaj edhe më tutje në pjesën tjetër të vendit.

Ekipet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” testuan reagimin e policisë, duke raportuar te forcat e rendit makinat dhe automjetet tjera që ngarkoheshin me naftë që në shumë pika në veri kushton më pak se 70 centë.

Në rrugën mbi fshatin Koshtovë që çon në drejtim të Zubin Potokut hulumtuesit e “Drejtësisë në Kosovë” panë një makinë, drejtuesi i së cilës përveç mbushjes së rezervuarit më naftën nën çmimin e tregut, po mbushte edhe disa bidonë të vendosur në bagazh, por edhe në karrigat e pasme.

Pas raportimit në polici të kësaj makine, ajo u ndalua në hyrje të Skenderajt, ndërsa malli i kontrabanduar bashkë me makinën u dërguan në terminalin doganor në Mitrovicë.

Por e njëjta gjë nuk ndodhi kur policia në veri të vendit u njoftua nga njëri prej hulumtuesve të “Drejtësisë në Kosovë” se një kamion po shkarkonte naftë nga bidonat në një pikë derivatesh në pjesën veriore të vendit.

Zyrtari policor kërkoi të dijë emrin e raportuesit dhe kur hulumtuesi i emisionit tha se dëshiron të mbetet anonim, policia vetëm i uroi natë të mirë, pa vepruar dhe pa u dukur në vendin ku shkarkohej kamioni me derivate.

Në emision u shfaqën edhe rrugët ilegale në kufi me Serbinë nëpër të cilat zhvillohet kontrabanda e derivateve.

Xhirimet se si zhvillohet kontrabanda në veri mund t’i shikoni në linkun në vijim.