Kontestet Pronësore Vonojnë Ndërtimin e Rrugës Prishtinë- Mitrovicë

Sipas organizatës joqeveritare “Developing Together” problemi kryesor i vonimit për ndërtimin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë është se punët kanë filluar pa u zgjidhur kontestet pronësore. Drejtori i kësaj organizate Driton Tafallari tha se vetëm në një pjesë të kësaj magjistraleje ka pasur 119 konteste pronësore, ndërsa deri më tani janë zgjidhur vetëm 20 për qind prej tyre.

Tafallari, i cili sot publikoi një hulumtim për këtë çështje, tha se problemi kryesor i vonimit për ndërtimin e kësaj magjistraleje është se kanë filluar punët pa u zgjidhur kontestet pronësore.

“Një problem shumë i madh që e kemi hasur, janë kontestet pronësore. Kanë filluar punët pa u zgjedh kontekstet pronësore dhe kjo po shkakton vonesa të mëdha”, tha Tafallari.

Ai tha se puna për ndërtimin e kësaj rruge është e ndarë në tri pjesë dhe po ndërtohet nga tri kompani të ndryshme, kurse vetëm në një pjesë të segmentit rrugor janë regjistruar 119 konteste pronësore.

“E tash për një vit e sa janë zgjedhur vetëm përafërsisht 20 përqind prej tyre kontesteve”, tha ai.

“Punimet zyrtarisht kanë filluar nga korriku deri në shtator të vitit 2013 dhe plani dinamik për përfundimin e punimeve është nga 12 deri 15 muaj që do të thotë se deri në fund të vitit punimet duhet të kryhen të tërat”, shtoi Tafallari.

Pjesën e parë të kësaj rruge me gjatësi prej 1.3 kilometrash është duke e ndërtuar Kompania “Pevlaku”, pjesën e dytë gjithashtu prej 3 kilometrash është duke e ndërtuar Kompania “Beni Com”, ndërsa pjesën e tretë prej 2.9 kilometrash po e ndërton Kompania “Rukolli”.

“Çmimi për ndërtimin e këtyre punëve është diku rreth 11 milionë euro, kurse  deri më tani  janë kryer deri 70 për qind të punëve”, tha Tafallari.

Sipas tij, brenda ditës ose orarit të punës prej orës 8 paradite deri në 6 pasdite, këtë rrugë e frekuentojnë diku rreth 17 mijë vetura.