Kontejnerëve nëntokësorë u gjendet tjetër destinim | Foto: KALLXO.com

Kontejnerët Nëntokësorë Mbajtës të Vazove me Lule

Projekti për kontejnerët nëntokësorë që u mendua se do të zgjidhte një herë e përgjithmonë problemin e mbeturinave në kryeqytet, u shndërrua vetë në problem për disa vite me radhë.

Kontejnerët nëntokësorë me vlerë 235 mijë euro në vend që të mbajnë mbeturinat e qytetit të Prishtinës, në një vend në Prishtinë janë shndërruar në mbajtës të vazove me lule.

Ky projekt me vlerë 235 mijë euro kishte filluar në vitin 2013 kur Komuna e Prishtinës udhëhiqej nga Kryeministri i tashëm Isa Mustafa, por kontejenrt nuk jan funsionalë as tash kur Shpend Ahmeti po i afrohet fundit të mandatit.

Kontejnerët nëntokësorë në disa raste janë zëvendësuar me ata mbitokësorë, kurse në lokacionin afër Kinemasë ABC ata janë shndërruar në mbajtës të vazove me lule.

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com shpjegoi se kontejnerët nëntokësorë janë jashtë funksionit sepse kompania “Pastrimi” është arsyetuar që nuk ka siguri gjatë zbrazjes së tyre, meqë ata funksionojnë në mënyrë hidraulike.

“Këtyre kontejnerëve duhet t’u bëhet mirëmbajtje për shkakun se lëvizja e tyre bëhet në mënyrë hidraulike dhe mund të paraqiten probleme në aspektin e funksionimit. Duke u bazuar në këtë, KRM ‘Pastrimi’ ka arsyetuar se nuk ka siguri të mjaftueshme gjatë ngritjes, uljes dhe zbrazjes se kontejnerëve”, deklaruan zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Sipas drejtorisë kompania “Pastrimi” nuk ka dhënë vlerësim se në farë gjendje janë kontejnerët.

“Për këtë e ka ndërprerë punën me këta kontejnerë, por nuk ka bërë ndonjë konstatim në bazë të të cilit vlerësohet gjendja e tyre teknike”, thuhet në ërgjigjen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Drejtoria e Shërbimeve Publike gjithashtu ka bërë të ditur se Komuna e Prshtinës fillimisht e ka bërë testimin e kontejnerëve nëntokësorë, të cilët janë pranuar si funksionalë.

“Sipas kontratës pas ndertimit është bërë edhe testimi i tyre në aspektin e funksionimit dhe peshëngritjes se tyre, pasi që kemi pasur të bëjmë me ngritjen e platformës, ku pas këtij testimi janë pranuar si funksionalë. Perve kontejnerëve, komuna ka përshtatur në aspektin teknik edhe 4 kamionë për zbrazjen e kontejnerëve”, thanë në drejtori.

Ndërsa Kompnaia Regjionale e Pastrimit të Mbeturinave “Pastrimi” ndryshe nga  Drejtoria e Shërbimeve  Publike thotë se kanë pasur të bëjnë me shkaqe të tjera që kanë qenë pengesë për funksionimin  e kontejnerëve.

“Nuk është vetëm çështja e sigurisë gjatë ngritjes, uljes dhe zbrazjes së kontejnerëve, por ka pasur edhe çështje tjera të cilat kanë qenë pengesë për menaxhimin e kontejnerëve nëntokësorë”, thonë në ndërmarrjen “Pastrimi” për KALLXO.com.

Kompania Regjionale “Pastrimi” më tutje shpjegon se kamionët në të cilët zbrazeshin mbeturinat nga kontejnerët nëntokësorë u dëmtuan.

“Në fillim makineria apo kamionët ishin në gjendje të rregullt, mirëpo më kalimin e kohës kamionët filluan të dëmtoheshin nga mbinkarkesa e mbeturinave” shpjeguan zyrtarë të kompanisë “Pastrimi”.

Por Drejtoria e Shërbimeve Publike u zotua për funksionalizimin e kontejnerëve nëntokësorë.

“Komuna ka planifikuar te zhvillojë procedurat per mirëmbajtjen e tyre në mënyrë që të jene funksionalë dhe të përdorshëm ashtu siç janë planifikuar”, thuhet në përgjigjet e drejtorisë për KALLXO.com.

Në shkurt të vitit 2016 në debatin për dy vjetët e qeverisjes së Shpend Ahmetit u fol edhe për mbeturinat.