Konjufca: Gjykata Speciale Cenon Integritetin e Sistemit të Drejtësisë

Glauk Konjufca-Shef i Grupit Parlamentarë të Vetëvendosjes, tha se përmes Gjykatës Speciale cenohet integriteti i autonomisë së Kosovës në sistemin e drejtësisë.

“Përmes Gjykatës Speciale, integriteti i autonomisë së sistemit tonë të drejtësisë cenohet së paku në 5 nivele fundamentale: në nivelin e Gjykatës Themelore – sistemi paralelizohet; në nivelin e Gjykatës së Apelit; në nivelin e Gjykatës Supreme; në nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe nivelin e institucionit të Ombudspersonit”, tha Konjufca.

Ai tha se është një kthim i madh prapa në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës 7 vite pas shpalljes së pavarësisë.

Pushteti gjyqësor, sipas Konjufcës, është unik, i pavarur, i drejtë, i paanshëm, apolitik dhe siguron qasje të drejtë në gjykata.

E gjithë kjo, thotë ai, shkelet në qoftë se në sistemin e drejtësisë vendosen dhomat e specializuara dhe zyra e prokurorit të specializuar.

Glauk Konjufca ka hedhur kritika për raportin e Dick Marty për krimet e ndodhura në Kosovë.

“Këto nuk janë fakte që i thotë raporti i Dick Martyt. Këto janë fabrikime të papranueshme”, shtoi ai.

Këto deklarime ai i bëri gjatë në fillim të interpelancës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, të propozuar nga Grupi Parlamentarë të Vetëvendosjes, për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale.