Konfiskohen mbi 52 kg drogë, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë dhe një i Serbisë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë

Pas një hetimi disamujorë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik e Policisë së Kosovës gjatë një operacioni të ndërmarrë sot ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar mbi 50 kilogramë sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Gjatë realizimit të operacionit rreth orës 16:00 në rrugën Prishtinë – Gjilan (në fshatin Ponesh) Policia e Kosovës ka ndaluar automjetin Mercedes me targa shqiptare, që drejtohej nga i dyshuari (F.Th.), i cili ishte së bashku me të dyshuarin tjetër (Xh.H.), të dy shtetas të Shqipërisë dhe pas proceduarve të kontrollit në bagazhin e automjetit në fjalë është gjetur një sasi prej mbi 52 kg, sasi e dyshuar e substancës narkotike e llojit marihuanë.

Pas veprimeve të vazhdueshme operacionale taktike sonte rreth orës 19:30, në Gjilan (në parkingun e një qendre tregtare) është arrestuar i dyshuari i tretë (L.M.) me shtetësi serbe, i cili dyshohet se kishte për ta pranuar substancën narkotike të lartcekur.

Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni si prova materiale ka sekuestruar: 2 vetura, 4 telefona celularë, 2.000 euro para kesh dhe mbi 52 kg marihuanë.

Ndërsa, sipas vendimit të prokurori kompetent të dyshuarit dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.