Ilustrim

Konfiskohen Mbi 2,500 Litra Naftë

Dogana e Kosovës ka kapur 2,500 litra naftë në një rimorkio të kamionit.

Lajmi bëhet i ditur nga një komunikatë e doganës, ndërsa nafta që dyshohet të jetë e kontrabanduar është zbuluar në një rimorkio të kamionit në rajonin e Mitrovicës.

“Pas pranimit të informatës përmes rrugëve operative për këtë veprimtari, respektivisht për kamuflimin e naftës në rimorkio të kamionit, njësit e doganës janë mobilizuar dhe kanë lokalizuar kamionin e dyshimtë. Kamioni është ndalur në fshatin Kqiq i Madh ku edhe është ushtruar kontroll”, thuhet në komunikatën e doganës.

Dogana bën me dije se konfiskoi naftën dhe automjetin ku u gjet ai.

“Pas kontrollimit të rimorkios është vërejtur se në maune gjenden të ngarkuar dy bidon plastik me derivate të naftës me nga 1,000 litra dhe anash kishte dy rezervuar me nga përafërsisht 500 litra naftë secili. Pala nuk posedonte asnjë dokumentacion për mallin prandaj së bashku me Policinë e Kosovës është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për kontrollim detal”, sqaron komunikata.

Në komunikatën e Doganës thuhet se “kamioni së bashku me derivatet janë konfiskuar gjithashtu edhe pala është gjobitur derisa rasti ka vazhduar tutje për hetime”.