Konferencë për Transparencën në Institucione dhe Paditë e Fituara nga BIRN

Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) do të organizojnë sot një konferencë që ka të bëjë me transparencën në institucionet e Kosovës.

Në këtë konferencë do të shtjellohet çështja e qasjes së qytetarëve në dokumentet publike, me qëllim të promovimit të transparencës në qeverisje të institucioneve ekzekutive si dhe të atyre të drejtësisë.

Në ngjarje do të shpalosen gjithashtu paditë e ngritura nga BIRN kundër Zyrës së Kryeministrit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkak të refuzimit të kërkesave për shpenzimet e zyrtarëve, respektivisht  vendimet përfundimtare të hetimeve disiplinore në të cilat Gjykata i ka dhënë të drejtë BIRN-it duke vendosur në favor të tyre.

Në konferencë do të flasin edhe Zëvendës Ambasadorja e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jennifer Bachus si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.