Kondicionerët e Komunës Rregullohen nga Zjarrfikësit

Qytetarët e Ferizajt kanë patur fat që në orët e mëngjesit nuk kanë pasur ndonjë rast zjarri, pasi zjarrfikësit ishin të zënë me një punë tjetër.

Punëtorë të shërbimit të zjarrfikësve sot janë marrë me rregullimin e aparateve të klimatizimit në objektin e Komunës.

Kjo makinë me shkallë e zjarrfikësve të Ferizajt nuk është këtu për shkak të ndonjë zjarri, apo pse dikush është bllokuar brenda objektit. Arsyeja pse zjarrfikësit janë ftuar këtu janë disa pajisje të klimatizimit të objektit të Komunës.

Sipas zëdhënësit të Komunës, Naim Ferati, kjo është e zakonshme, pasi që zjarrfikësit operojnë në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave.

Ferati tha se zjarrfikësit janë ftuar pasi që nuk kanë patur mundësi tjetër për të arritur deri te pajisjet që kishin nevojë për t`u riparuar.

Sipas Feratit, Komuna nuk i ka paraparë edhe këto punime me kompaninë të cilën e ka kontraktuar të riparojë pajisjet e klimatizimit prandaj u është dashur të thërrasin zjarrfikësit për t`i rregulluar ato.

Sipas zëdhënësit Ferati, zjarrfikësit kanë kapacitete të mjaftueshme që në rast të ndonjë emergjence t`u përgjigjen qytetarëve edhe përkundër punëve që ishin duke i kryer sot në objektin e Komunës për rregullimin e makinave për klimatizim.