Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor 2018

Komuniteti rom, i diskriminuar në Ballkan dhe Evropë

Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut “Civil Rights Defenders”, ka nisur sot në Prishtinë Samitin e Romëve të Ballkanit Perëndimor 2018, i cili do të zgjasë dy ditë, në datat 21 dhe 22 nëntor 2018.

Stefano Gnocchi, këshilltar i çështjeve politike nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se duhet të zbatohen direktivat e dala nga BE-ja që kundërshtojnë diskriminimin racor.

“Zbatimi i direktivave dhe i rregulloreve të dala nga komisionet përkatëse, janë shumë të rëndësishme për të luftuar këtë të keqe, pra diskriminimet ndaj komunitetit rom. Të rëndësishme janë edhe miratimet e komisioneve të ndryshme  kundër gjuhës diskriminuese në media online”, theksoi Gnocchi.

Ndërkaq, Mimoza Gavrani menaxhere e projektit nga Caritas Switzerland, tha se janë identifikuar mungesa të iniciativave qeverisëse për ta shtyrë përpara çështjen rome.

“Shpresoj se me ritmin e ri, qeveria do t’i ndihmojë dhe përkrahë romët. Zërat e romëve nuk po dëgjohen si duhet dhe lidhja e tyre mes mekanizmave që duhet t’i mbështesin, nuk po ekziston”, tha ajo.

Kurse, Bernard Rorke Zyrtar për Avokim në ERRC deklaroi se ka abuzim të fondeve të BE-së, nga qeveritë edhe në shtetet ku ka shumë banorë rom.

“Shtetet anëtare duhet të mos u mohojnë njerëzve vendet publike dhe të mos shfaqin urrejtje me fjalime kundër romëve. Jemi në rrezik që të rrëshqasim mbrapa, pasi ka shtete që praktikojnë gjuhë të urrejtjes ndaj romëve”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Evropë i organizatës “Civil Rights Defender”, Goran Miletiç tha se në shtetet e Ballkanit perëndimor ka ligje të mira që e rregullojnë çështjen e diskriminimit.

“Ligjet kundër diskriminimit mund të shtohen, por e vërteta është se ato ekzistojnë. Si në Kosovë Maqedoni e Serbi, Ballkani është mjaft i avancuar në këtë aspekt, përkundër faktit që  ka shtete në BE që ende nuk i kanë këto ligje”, tha Miletiç.

Ai shtoi se problematikë mbetet fakti që komuniteti rom nuk është duke i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe se një numër i tyre as nuk i njohin se cilat janë ato.

“Romët edhe frikësohen për të raportuar se dikush i ka diskriminuar. Kjo luftë duhet të udhëhiqet nga vetë romët”, përfundoi ai.

Përgjatë dy ditëve, Samiti i Romëve të Ballkanit Perëndimor 2018, do të mbledhë një numër aktivistësh të të drejtave të njeriut dhe aktivistë romë nga rajoni.

Sipas të dhënave të BE-së, romët janë pakica më e madhe etnike në Evropë. Nga përafërsisht 10-12 milionë romë, rreth 6 milionë prej tyre jetojnë në BE.

“Përkundër faktit se janë miratuar një varg politikash për përfshirjen e romëve, ata ende ballafaqohen me diskriminim këmbëngulës si në BE ashtu edhe në Ballkan”, thuhet në të dhënat e publikuara në këtë samit.

Qëllimi i Samitit të Romëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka filluar më 2015, është tërheqja e vëmendjes karshi antigjipsizmit dominues, diskriminimit sistematik dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut të romëve në rajon dhe thirrja drejtuar qeverive të Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar plotësisht standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.