Komuniteti i artistëve: Pa Bekim Lumin, teatri shqiptar do të jetë më i varfër

Vdekja e regjisorit Bekim Lumi ka prekur rëndë komunitetin e artistëve të Kosovës.

Sipas tyre, me vdekjen e Bekim Lumit, teatri shqiptar do të jetë i varfër.

Aktori Fatmir Spahiu për KALLXO.com tha se teatri shqiptar do të jetë i varfër pa Bekim Lumin dhe se humbja e tij është e pariparueshme.

“Bekim Lumi është ndër personalitetet më të rëndësishme në zhvillimin e jetës teatrore në Kosovën e pasluftës. Ndarja e tij nga kjo jetë lë një boshllëk gati të pariparueshëm. Pa Bekim Lumin teatri shqiptar do të jetë më i varfër” u shpreh Spahiu.

Fatmir Spahiu tregoi se me regjisorin e ndjerë ka punuar në disa vepra dhe rolet në to i cilësoi si më të realizuarat.

“Unë kam pasp fatin të jem aktor në tri vepra të punuara nga ai, “Galani” i Mrozhekut, produksion i teatrit Dodona, “Arushani” dhe “Fejesa” nga Chehov, produksion i Teatrit Kombëtar. Këto tri role unë i rreshtoj ndër ato më të realizuarat dhe natyrisht kjo për meritë të Bekimit dhe qasjes se tij autoritative në interes të procesit. Unë kurrë nuk ju kam qasur seriozisht seriozitetit të tij të madh, madje edhe gjatë sëmundjes jam mundu me ju qas me humor sepse ndryshe nuk do të ishim artist. Bekimi na la një trashëgimi të madhe, uroj të kujtohen dhe të ndiqen si shembull. Mua Bekimi do të më mungojë, uroj dhe shpresoj që dikush nga studentët e tij të jetë një Bekim i ri” shtoi Spahiu.

Ylber Bardhi nga trupa e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku Bekim Lumi punoi si regjisor i pavarur, tha se sfera e regjisorëve ka humbur një regjisor modern.

“Unë pata rastin të punoj me profën Bekim në projektin e fundit në Teatrin Kombëtar dhe ta shoh nga afër se sa regjisor i madh është. Jo vetëm familjarët e ngushtë, shokët e shoqet e kanë humbur Bekimin por edhe arti shqiptar ka humbur një regjisor modern të kohës që ka lënë një boshllëk të madh në sferën e regjisurës shqiptare”, tha ai.

“Bekim Lumi më së shumti do t’u mungojë dërrasave të skenave ku ka shkelur këmba dhe mendja e tij”, theksoi Ylber Bardhi.

Bardhi tregoi se ç’i kishte thënë para pak muajsh ai në prova.

“’Çerkuz’ faleminderit për energjinë e mirë që po ma jep në prova”, e citoi Ylber Bardhi regjisorin tashmë të ndjerë. Dhe shtoi se Lumi si me shaka i kishte thënë: “Unë ndoshta fati e deshi qe me shku ma herët po çare s’kemi pa u taku. Unë andej ndoshta jo regjisor po ti aktor edhe atje kismet…”. “Bekë, mirë u pafshim atje!”, u shpreh Bardhi për KALLXO.com.

Regjisori Ismet Sijarina për KALLXO.com tha se Bekim Lumi është artist model për të gjithë regjisorët.

“Beka ka qenë një njeri i veçantë, profesor i përkushtuar, dhe një artist model për të gjithë ne”, u shpreh Sijarina.

Regjisorja Burbuqe Berisha ka thënë se vdekja e Bekim Lumit është humbje e madhe për komunitetin artistik.

“Vdekja e Bekimit është një humbje e madhe për komunitetin artistik dhe skenën tonë teatrore. Një regjisor që ka punuar me precizitetin deri në perfeksion”, tha Berisha për KALLXO.com.

Regjisori Bekim Lumi prej dy vjetësh ka vuajtur nga sëmundja e kancerit.

Shumë shfaqje e koncerte brenda dhe jashtë Kosovës janë mbajtur që të mblidheshin fonde për t’i ndihmuar Bekim Lumit për shërim, por edhe pas shumë përpjekjeve dhe rezistencës së regjisorit Lumi ai ka ndërruar jetë sot.

Po cila është biografia e Bekim Lumit?

I lindur më 1966 në Suharekë, Bekim Lumi gjatë viteve 1987 – 1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Kurse gjatë viteve 1992 – 1996 ka mbaruar studimet për Regji teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, me 2010 ka mbaruar edhe studimet e magjistraturës.

Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”.

Bekim Lumi për punën e tij si regjisor është shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat në vitin 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë.

Në vitin 2016 ka fituar “Çmimin Vjetor për Shfaqjen më të mirë”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës e Kosovës.

Lumi ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja”, e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010. Bekim Lumi është autor i dhjetëra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë.

Nga viti 2013 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e Regjisë së teatrit.

Regjisori Bekim Lumi njihet për shfaqjet e tij eksperimentale. Para dy vjetësh, ai në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”.

Bekim Lumi me 14 qershor të këtij viti ka dhënë premierën e shfaqjes “Arturo Ui” në Teatrin Kombëtar të Kosovës.