Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komunës së Mitrovicës i shtohet inkasimi i të hyrave komunale

Komuna e Mitrovicës ka rritje të të hyrave komunale prej 10 për qind.

Këtë e ka pohuar zyrtari kryesor financiar në komunën e Mitrovicës Adem Fazliu me rastin e mbajtjes së mbledhjes se bordit të drejtorëve në këtë komunë.

Sipas Fazliut nga raporti financiar për vitin 2018 rezulton se inkasimi i të hyrave komunale ka arritur shifrën prej 2 milionë  e 27 mijë e 478 euro e 58 cent ose 93,05 për qind të planit vjetor.

“ Kurse duke bërë krahasimin me të hyrat e vitit 2017, të hyrat janë 10% më të larta, ndërsa buxheti për vitin 2019 pritet të jetë 19,807,958 euro “, ka thënë Fazliu.

Po ashtu në këtë mbledhje, Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti ka njoftuar ekzekutivin se është duke u punuar për respektimin e orarit të punës të subjekteve afariste, ku me këtë rast të enjten dhe të premten drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë kanë ndërmarrë aksion për mbylljen e lokaleve të cilat nuk e kanë respektuar orarin e punës duke punuar pas orës 23:00 pa leje,  mirëpo disa prej tyre janë hapur pas pajisjes me leje për zgjatje të orarit të punës.