Komunat e Kosovës kanë probleme me dispozitat ligjore për menaxhimin e mbeturinave

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian sot kanë organizuar diskutimin “Mënyrat e përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave dhe bashkëpunimi në këtë proces”.

Të pranishëm në këtë diskutim ishin Nataliya Apostolova, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, zëvendësshefi i Seksionit të Operimeve nga Zyra e BE-së në Kosovë, Libor Chlad, përfaqësues e kryetarë komunash.

Në këtë diskutim u fol rreth problemeve kryesore në fushën e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë, përfshirë këtu edhe dëmet të cilat shkaktohen në lumenjtë, ujërat dhe në mjedisin në përgjithësi.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se ndotja e mjedisit nuk është vetëm problem i Kosovës, por është problem global.

“Një nga  çështjet kryesore duhet të jenë të jetë të vetëdijshëm në përmirësimin e mjedisit, kjo nuk është vetëm problem i Kosovës por është global, Kosova ka ende hapësirë për të përmirësuar në riciklimin dhe menaxhimin e mbeturinave”, tha Apostolova.

Apostolova shtoi se natyra e bukur e Kosovës po ndotet dhe po dëmtohet nga mbeturinat e shumta për shkak të mos kontrollimit nga autoritetet kompetente.

“Bashkimi Evropian ka hartuar strategji për të përmirësuar hap pas hap prodhimi i mbeturinave dhe riciklimi i tyre, BE nuk mund të marrë përgjegjësitë për përmirësimin e mjedisit në Kosovë, por këtë duhet ta bëjnë komunat dhe niveli qendror”, shtoi Apostolova.

Ajo gjithashtu tha se Bashkimi Evropian ka dhënë 10 milionë euro dhe po planifikon të japë edhe 10 milion në programin e ardhshëm për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë.

Zëvendësshefi i Seksionit të Operimeve nga Zyra e BE-së në Kosovë, Libor Chlad tregoi se kush dhe si mund të përfitojë nga fondet e IPA-s.

“IPA janë para për të ndihmuar Kosovën për anëtarësim dhe duhet të plotësohen kriteret e Kopenhagës që besoj se të gjithë ju i dini. Ne kemi mbështetur sektorin e Bujqësisë sepse kemi parë që ky sektor kërkon mbështetje, ne kemi investuar edhe në shumë projekte në përmirësimin e cilësisë së ajrit, ujit dhe dheut”, tha Chlad.

Chlad po ashtu tha se inkurajon të gjitha komunat që të punojnë edhe më shumë në menaxhimin e mbeturinave ndërsa shtoi përvojën e tij të jetesës në kryeqytet.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni të bëni atë që ndoshta është bërë në menaxhimin e mbeturinave. Është e vërtetë që Prishtina ka më shumë investime se është shtet brenda shteti. Unë jetoj që katër vjet në Kosovë dhe nuk jam i kënaqur me mjedisin, ne jetojmë në zyrë apo shtëpi me filtra dhe kjo nuk është jetë. A e dini se në krahasim me rajonin kohëzgjatja e jetës është 10 vjet më e shkurtër dhe kjo nuk është mirë, për këtë ka ndikuar dhe ndikon ndotja e ambientit”, shtoi Chlad.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se diskutimet e tilla për mbrojtjen e ambientit duhet të jenë më të shpeshta dhe jo vetëm me ftesën e Bashkimit Evropian

“Gjatë periudhës së dimrit problemi i ndotjes së ajrit bëhet aktual dhe kjo ndodhë vetëm gjatë ditëve të dimrit, bëhemi ambientalistë vetëm kur shifrat janë alarmante ndërsa muajt e tjerë ne nuk diskutojmë asnjëherë dhe kjo tregon për vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës. Takimet si kjo duhet t’i bëjmë më shpesh dhe jo vetëm me ftesën e BE

Ahmeti gjithashtu shtoi se mbeturinat në të kaluarën janë parë si barrë ndërsa tash shihet sikur aset për shkak të riciklimit të tyre dhe kthimit të tyre në produkte të përdorshme.

Ai tha se të gjitha Komunat e Kosovës kanë problem me dispozitat ligjore të menaxhimit të mbeturinave.

“Ne nuk mund të diskutojmë se si t’i menaxhojmë mbeturinat kur ende nuk e dimë se sa bërllok mbledhim në nivele komunale. Asnjë kompani nuk do të investojë në riciklim kur nuk e ka lëndën e parë e që Prishtina e bën këtë për shkak të numrit të madh të banorëve. Ne jemi vendi i vetëm në Regjion që bëjmë mbeturina më shumë për kokë banori dhe kjo vjen si pasojë e cilësisë dhe sasisë së ushqimit që hamë”, tha Ahmeti.

Problemin me dispozitat ligjore të menaxhimit të mbeturinave e paraqitën edhe kryetarë komunash të tjera ku thanë se kjo duhet të definohet për shkak se qeveria kërkon llogari nga Komunat kur kompanitë e pastrimit nuk e bëjnë këtë.