Foto: Krenar Xhaferi/ Facebook

Zotimi i drejtorit komunal: Problemit të nivelimit të pusetave në Prishtinë i ka ardhë fundi

Komuna e Prishtinës ka nisur ndërhyrjet e para për problemin me nivelimin e pusetave nëpër qytet.

Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në komunë Krenar Xhaferi ka thënë se problemit me nivelizim të pusetave u ka ardhur fundi.

Sipas tij, komuna është duke aplikuar një metodë që kornizën e pusetës ta instalojnë në konstruksion të betonit të pusetës.

“Për nivelimin e pusetave jemi duke aplikuar një metodë tjetër. I kemi urdhëruar të gjithë kontraktorët që kornizën e pusetës ta instalojnë në konstruksionin e betonit të pusetës , si element i parafabrikuar, duke ngjeshur mirë bazën, e pastaj duke e vendosur mbi pusetë. Mbi të, lihet pjesa e vendosjes së asfaltit”, ka njoftuar Xhaferi në rrjetin social Facebook.

Ai shtoi se kjo metodë tashmë po aplikohet në rrugën “Muharrem Fejza” dhe rrugët ku do ketë punime tash e tutje.

“Kjo metodë tani është duke u aplikuar në gjithë rrugën “Muharrem Fejza” dhe në gjitha rrugët, ku do të punojmë tash e tutje. Kjo na siguron një stabilizim të mirë të kapakut dhe të rrugës. Pllaka do të jetë 1.2 x 1.2 m me trashësi 0.20 cm”, shtoi tutje Xhaferi.

Foto: Krenar Xhaferi/Facebook