VIDEO: Përurohet nënkalimi "Bashkimi i Qytetit" në Ferizaj

Para qindra qytetarëve ferizajas i pari i Komunës Agim Aliu përuroi nënkalimin e quajtur “Bashkimi i Qytetit”.

Aliu para të pranishmëve tha se e ka mbajtur zotimin e dhënë për ferizajasit.

“Desha të ndaj me ju disa fjalë të zemrës. Sot Ferizaj ka festë, pa fjalë janë edhe skeptikët që ky projekt u dukej ëndërr”, tha ai gjatë fjalimit para qytetarëve.

Duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe kontributdhënësit për këtë nënkalim, Aliu potencoi se ferizajasit padrejtësisht janë ndarë përmes hekurudhës dhe, sipas tij, nuk e meritonin një gjë të tillë.

“E bëmë këtë sepse Ferizaj pati një borxh: të mos ndajë qytetarët dhe ekonominë në dy krahët e tij. E për këtë u desh punë e përkushtim, u desh dija profesionale”, tha Aliu.

Kujtojmë se kosto e këtij projekti ishte 6 milionë euro.