VIDEO - Çiklisti përqafon punëtorët që i vendosen pengesat në shtegun e biçikletave në Prishtinë

Çiklisti i cili ka disa javë që është shumë aktiv për largim të makinave nga shtegu i çiklizmit në rrugën “Muharrem Fejza’ i është realizuar kjo kërkesë.

Në disa pamje të shpërndara nga grupi ‘Vrojtuesit e Lagjes’ ai shihet teksa përqafon punëtorët që kanë nisur vënien e pengesave në shtegun e çiklistëve në këtë rrugë e cila është shumë e frekuentuar nga qytetarët.

Drejtori i shërbimeve publike në komunë, Ilirik Musliu ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ndërmarrjen Publike Banesore ka nisur vendosjen e pengesave në shtegun e çiklizmit në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në lagjen ‘Mati’.

“Bashkë me ekipin dhe NPB-në, po e fillojmë ditën e javën me vendosjen e pengesave në shtegun e biçikletave tek rruga ”Muharrem Fejza”. Drejtoria e Shërbimeve Publike, po punon çdo ditë që të lirohen hapësirat e dedikuar për këmbësor dhe shtigjet për biçikleta”- ka shkruar ai.

Shtegu i çiklizmit është përuruar në kohën kur përfunduan punimet në rikonstruktim të rrugën ‘Muharrem Fejza’ gjatë vitit 2022.

Por, mungesa e pengesave paraqiste problem për çiklistet pasi zona ishte vazhdimisht e mbushur me makina të parkuara.