Vërejtje me shkrim ndaj kompanive për punime jocilësore te nënkalimi në Ferizaj
Më 09.08.2024 është përuruar segmenti i parë i nënkalimit të ri afër stacionit policor në qytetin e Ferizajt, ndërsa punimet kanë vazhduar për ndërtimin e pjesës së mbetur të këtij nënkalimi.
Mirëpo nga Komuna e Ferizajt nuk janë ndarë të kënaqur me cilësinë e punimeve në segmentin e dytë dhe kanë lëshuar një vërejtje me shkrim për konsorciumin.
Kontrata për këtë nënkalim është lidhur më 26.04.2023 me afat për përfundimin e punëve prej 36 muajve.
Komuna e Ferizajt ka kontratë në vlerë prej 7,477,777.77 euro me konsorciumin ‘Euro – Infrastruktura’, ‘B-Bardhi’, ‘Linda’ dhe ‘Berisha Company’, krahas kontratës së parë në vlerë prej 433 mijë e 333 euro e 33 centë që u nënshkrua 09.12.2022 me konsorciumin ‘B-Bardhi’ dhe ‘Linda’, për fazën e parë të ndërtimin të këtij nënkalimi, afati për përfundimin e punëve të fazës së parë ishte 24 muaj.
Drejtori i Infrastrutkurës, Meriton Hajdini, së bashku me 3 menaxherët e kontratës, Agim Dërguti, Nazim Musliu dhe Emin Misini, pasi kishin dalë në terren kishin gjetur se disa pozicione të cilat janë ekzekutuar nuk janë sipas kualitetit të duhur.
Më 03.12.2024, menaxherët lëshuan vërejtjen e parë me shkrim për kompanitë që po kryejnë punimet.
Punimet e cilësisë jo të duhur në vërejtje u konstatuan edhe me fotografi.
Sipas tyre, punimet jocilësore janë: betonimi i shtyllave, vendosja e gypit të kanalizimit atmosferik, vendosja e gypave të ujëmbledhësve, lidhja e ujëmbledhësve me pusetat e kanalizimit atmosferik, etj.
Në vërejtje thuhet se punëkryesve iu kërkua në po atë datë që të bëhen përmirësime në rrjetin e kanalizimit atmosferik si dhe kur të betonohen elementet konstruktive të bëhet ngjeshja e betonit me vibrator në mënyrë që ‘në të ardhmen mos të paraqiten sipërfaqe me beton të segreguar’.
Tre menaxherët e kontratës në vërejtje thonë se kur dolën përsëri në terren për të inspektuar punimet më 03.12.2024, u konstatua se nuk ishin bërë përmirësimet që u kërkuan dhe se ka rrëshqitur dheu për shkak të reshjeve atmosferike.
‘Nuk ka përmirësime në vendosjen e gypave të kanalizimit atmosferik, ka shembje dheu e cila ka lëvizur edhe pusetat e kanalizimit, janë demoluar disa gypa të kanalizimit për shkak të shembjes së dheut, etj.’ – thuhet mes tjerash në vërejtje.
Menaxherët e kontratës theksojnë se në të ardhmen do të jetë i pamundur intervenimi në rrjetin e kanalizimit atmosferik si dhe në përmirësimin e klasës së betonit në shtylla, mure apo pllaka.
Tutje thuhet se kompanive u është kërkuar që punët të kryhen me cilësi të lartë dhe sipas projektit.
Vërejtja e parë me shkrim erdhi pasi që nuk u mor parasysh vërejtja verbale në terren.
Nga Zyra e Prokurimit në kuadër të Komunës së Ferizajt u kërkua që ta njoftojë konsorciumin me vërejtjen dhe t’i njoftonte ata për pasojat që do të kenë në të ardhmen për mosrespektimin e kontratës.
KALLXO.com më 04.12.2024 i ka dërguar pyetje kompanisë udhëheqëse të konsorciumit “Euro – Infrastruktura” por kjo e fundit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Vërejtja e plotë me shkrim është publikuar nga Komuna e Ferizajt në platformën E-Prokurimi.