Vazhdojnë problemet në “Muharrem Fejza”, punimet nuk përfundojnë këtë vit (VIDEO)

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 në Prishtinë, tash e disa vite po përballen me infrastrukturë të dobët rrugore e të mbingarkuar.

Pas shumë ankesave, komuna e Prishtinës kishte vendosur të ndajë 700 mijë euro për rikonstruktim të kësaj rruge, që do përfshinte edhe shtigje çiklizmi e trotuare.

Megjithatë punimet në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1, kanë nisur vetëm në prill të këtij viti dhe llogaritej se do të zgjasnin 120 ditë pune.

Por, këto punime u zvarritën disa herë dhe gjendja vazhdon të mbetet e rëndë.

Kompania “Rahovica” e kontraktuar nga komuna për rikonstruktim të rrugës, fajin për këto vonesa po e hedh te operatorët tjerë të përfshirë për kryerjen e punëve të ndryshme në këtë rrugë.

“Prej fillimit të punimeve problemet kryesore i kemi pasur fillimisht me kompanisë e ‘All Zone’, kontraktore e Termokosit. Për shkak të punimeve të tyre, ne kemi ndërprerë punimet për një muaj”, u tha nga kompania.

Deri tani në rrugën “Muharrem Fejza” janë shtruar dy segmnete, derisa janë edhe 450 metra rrugë të paasfaltuara.

Kompania “Rahovica”, kishte planifikuar që segmenti i tretë i kësaj rruge të shtrohej gjatë ditës së hënë, por punimet u anuluan për shkak të punëve shtesë që po vazhdonte një operator tjetër.

“Kjo pjesë që po shihet, është segmenti i tretë dhe ka qenë në plan të shtrohet me asfalt këtë të hënë, por pas kësaj gjendje pas intervenimit të kompanisë IPKO në na është dashur t’i shtyjmë punimet dhe përsëri të sanohen këto punime dhe të fillohet me asfaltim”, thuhet tutje nga inxhinieri i kompanisë.

Mirëpo, sipas tyre, pengesë në kryerjen e punimeve u kanë shkaktuar edhe lëvizjet e makinave të shumta.

“Problem tjetër ka qenë edhe qarkullimi i veturave, që e kemi pasur të pamundur të bëjmë bllokim të rrugës komplet, dhe kemi zgjedhur ta ndajmë rrugën në segmente”.

Edhe nga Komuna e Prishtinës kanë deklaruar se punimet në rrugë po vonohen për shkak se operatorët e tjerë nuk i kanë kryer punët.

Qazim Bajrami, mbikëqyrës i punimeve nga drejtoria e Investimeve Kapitale tha për KALLXO.com se kompania për shtrim të rrugës është duke u përballur me vonesa, për shkak se janë në pritje të përfundimit të punëve nga operatorët e tjerë.

“Pasi ‘Rahovica’ ka sheshuar trasenë për asfaltim, kompania IPKO ka hapur disa kanale, që më pas kur i ka mbyllur i ka ngritur më shumë se që duhet, unë u kam tërhequr vërejtjen para dy ditëve që ta lënë rrugën në gjendjen si e kanë gjetur”, tha Bajrami për KALLXO.com

KALLXO.com ka tentuar të marr përgjigje edhe nga operatori IPKO lidhur me akuzat e kompanisë ‘Rahovica’ për këto punime, por deri në momentin e publikimit nuk kemi marr ndonjë përgjigje.

Sipas Komunës, duke llogaritur këtë ritëm punë, ndërtimi i rrugës pritet të zgjasë deri në vitin 2022.