Deponia e mbeturinave FOTO-KALLXO.com

Uji, kanalizimi e bërlloku, hallet që i ndjekin banorët e  Novobërdës

E shtrirë në një territor të pasur me miniera dhe me potencial për punë në xehetari, Komuna e Novobërdës nuk ka parë zhvillim të madh ekonomik te popullsia.

Banorët e kësaj komune ende kanë probleme me marrjen e shërbimeve publike, rregullimin e rrjetit të kanalizimit si dhe furnizimin me ujë.

Bërlloku e mungesa e rrugëve të shtruara janë disa probleme të tjera të theksuara në këtë pjesë, ndërsa komuna arsyetohet me mungesë buxheti derisa thotë se ka plane në zhvillimin e turizmit.

 Njëri nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj komune është Llabjani. Ky fshat nuk ka ujësjellës ndërsa, një investim i cili u bë në kanalizim, nuk rregulloi telashet me ujëra të zeza.

Qe pesë vite, në lumin e Llabjanit ujërat e zeza derdhen nga kanalizimi. Kjo rrjedhje e ujit mbush edhe liqenin e Badovcit nga ku furnizohen disa vendbanime të vendit.

Banorët e Llabjanit thonë se përveç erës së padurueshme, nuk po mund të mbajnë as bletë e lopët po e pinë ujin e ndotur.

Emin Gashi po e sheh këtë gjendje si shumë të rrezikshme edhe për faktin se uji i Liqenit të Badovcit përdoret si ujë i pijshëm.

“Na kemi problem që kanalizimi na ka ardhë në mes të fshatit kurse ne s’kemi kanalizim. Problem tjetër është se, është është problem me jetu prej erës së kanalizimit edhe e dyta, fshatarët tjerë po i bijnë këtu kanalizimet se s’kanë kah i qojnë tjetër. I treti problem është, kjo është rrjedhja kryesore për liqenin e Badovcit me ujë e, këto mbeturina me shku ku pijnë njerëzit ujë, nuk besoj që ka në këtë Evropë”,tha ai.

Banori ka një kërkesë për Komunën e Novobërdës derisa thotë që deri më tani do ta rregullonin vetë nëse do ta dinin që komuna nuk do të intervenonte.

“Është jeta shumë problematike këtu. Ujësjellës kemi bë kërkesë hiç, se na ka humbë mendjen era, njëherë kjo është e ngutshme, era me nau hjekë se është telashe e madhe. Kemi nevojë edhe për ujësjellës, në shekullin e 21 në Kosovë, sa dy qytete të Gjermanisë, me pas problem hala me kanalizim, nuk është korrekte, se masi po kemi mundësi ka 2-3 milionë euro me i pas nëpër xhepa, ky nuk kushton miliona euro. Me pas ditë që nuk na nimon komuna, i kishim mbledhë vetë paret”, thotë ai.

Probleme me ujin e pijës kanë edhe banorët e fshatit Vllasali. Madje, atje banorët u detyruan veta ta rregullojnë prishjen e pajisjeve që ua çon ujin në shtëpi.

“Komuna na ka thënë që do t’i rregullojmë prishjet, hidrofor e të tjera, jemi kanë nja 2-3 herë, po kurgjë. Na jemi mbetë pa ujë të pijës, tërë fshati, ka na mbetë edhe verës”, thotë Nuredin Vllasaliu.

Vllasaliu ka 42 krerë lopë e mbi 250 dele. Gjithashtu, zona i ofron kushte edhe për kultivimin e mjaltës.

Megjithatë, mugesa e ujit, fermerit  po i krijon shumë telashe.

“Kërkesa është që të interesohen për punën e ujit, ka nevojë fshati, se pa ujë nuk po mundesh me funksionu kurgjë, as makina e larjes, çdo sen që është me ujë”, thotë ai.

Vllasaliu thotë se Komuna e Novobërdës nuk po i ndimon bujqëit e kësaj ane, megjithëse komuna tha se ka ndarë subvencione për bujqit.

“Me pas kanë sikur komunat e tjera me na nimu edhe neve, ish kanë një ndihmë shumë e madhe për ne si fermerë, sikur në komunat tjera, ishin interesua njerëzit më shumë me zhvillu bujqësinë, me u ngritë, po ne vetëm prej ministrisë që marrim subvencion, tjetër nuk marrim kurrë”, tha Vllasaliu

Në komunën e Novobërdës nuk ka fare transport publik. Madje, në këtë zonë nuk qarkullon asnjë autobus privat për bartjen e qytetarëve.

Milivoje Paviq, banor i Novobërdës thotë se çdo ditë bën shumë kilometra në këmbë pasi nuk ka transport.

Banorët e Novobërdës kanë probleme edhe me bërllogun. Një deponi e madhe ilegale është në mes fshatrave Jabuq dhe Pasjak.

Deponia e mbeturinave, FOTO-KALLXO.com

Banorët e zonës morën premtime nga komunarët për pastrimin e kësaj zone, por pamja vazhdon të jetë e njëjtë.

Deponia e mbeturinave
FOTO-KALLXO.com

“Mbi 10 shtëpi këtu i kemi bunarët ku e marrim ujin e pijës. Këtu kanë qitë edhe eshtra, po tash i kanë nal. Kanë dal kryetari e inspektorët në vendngjarje,  më kanë premtu që më nuk do t’i hudhin, edhe eshtra më nuk kanë qitë. Ama, mbeturinat tjera, nuk janë nalë prapë”, treegon Etem Miftari nga fshati Pasjak.

Probleme kanë edhe banorët e komunitetit rom në Novobërdë. Ata thonë se bënë shumë kërkesa në komunë për shtrimin e një rruge, por asnjëherë nuk u mor parasysh kërkesa. Përveç rrugës, banorët e fshatit Bostan ankohen edhe për telashe të tjera.

“ Ne kemi problem me social, problem kemi me ujë, një herë në javë kemi ujë. Kemi problem me rrugë, kjo është e rregulluar nga vetë ne që shumë kohë”, thotë Ramiz Jashari nga fshati Bostan.

Potenciali në turizëm e bujqësi dhe investimet e vogla

Përpos se njihet si vend i xeheve dhe pasurive nëntokësore, Novobërda ka potencial edhe në avancimin dhe promovimin e turizmit rural si dhe në vizita te Kalaja e Novobërdës si atraksion turistik.

Në komunë theksojnë se kanë identifikuar një numër të caktuar të familjeve që janë të interesuara për turizëm rural dhe me to kanë filluar të punojnë në trajnime. 

Janë ndarë grante për këtë qëllim për të investuar në kapacitete akomoduese, prodhuese, shërbyese dhe rekreative.

 Është zhvilluar një strategji për zhvillimin e turizmit rural në komunë. Tani pritet përfundimi i punimeve për restaurimin e kalasë, për të kaluar në ngritjen e kapaciteteve akomoduese dhe përmirësimin e kësaj zone. Qëllimi, siç theksuan në komunë, është qëndrimi i turistëve, dhe jo që kjo të jetë vetëm një rrugë kalimtare. 

Ka ende shumë punë për të bërë në këtë plan. Organizata turistike nuk është formuar, nuk ka guida turistike, kapacitetet akomoduese janë të pamjaftueshme dhe nevojiten edhe investime më të mëdha për të përmirësuar infrastrukturën. 

Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

 

 

Përveç turizmit, Komuna thotë se ka dhënë subvencione edhe për bujqësinë.

“Në mënyrë proporcionale, 70% të fondeve komuna i ndanë për ndihmë prodhuesve bujqësorë dhe qytetarët marrin pjesë me 30% të tjerë. Prokurimi bëhet në bazë të kërkesave të fermerëve. Të gjithë fermerët nga territori i komunës së Novobërdës kanë të drejtë të aplikojnë për subvencione. Çdo vit, shpallet konkurs për prokurim të moto-kultivatorëve dhe pjesëve bujqësore për to. Ato 30% të fondeve me të cilat qytetarët marrin pjesë në subvencionim janë ridestinuar për prokurime të reja”, konfirmoi nënkryetari i Komunës Sinisha Dimiq.

Në komunën e Novobërdës 600-700 hektarë janë pyje, të cilat ruhen nga katër roje të paguara nga qeverisja lokale.

Komuna thotë se ata janë të kufizuar nga buxheti dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të punësojnë një numër më të madh të pylltarëve për të parandaluar kështu vjedhjen e pyllit. 

Pyll në Novobërdë FOTO-KALLXO.com

Për të zbutur pasojat e prerjeve të paligjshme të pyjeve, autoritetet komunale i janë kthyer pyllëzimit dhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë kanë marrë fidanë të bimëve gjethembajtëse.

Kjo komunë mbulon një sipërfaqe prej 204 kilometra katrorë dhe përfshin 33 fshatra dhe 34 zona kadastrale. Mbajtja e rendit publik në një hapësirë kaq të madhe me vetëm dy automjete policie është mision i pamundur, kështu që, siç u konfirmua, komuna ia ka huazuar dy automjete stacionit të policisë dhe në këtë mënyrë e ka lehtësuar disi punën e shërbimit të rojeve të pyllit.

Pranë kësaj komune është formuar edhe një njësi zjarrfikëse, e cila ka në dispozicion dy automjete, të cilat, siç  thanë nga komuna, janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë territorin në periudhën e verës. 

Në dimër, zjarrfikësit përfshihen në pastrimin e rrugëve, kur është e nevojshme. 

Sfidat infrastrukturore 

Buxheti komunal për vitin 2020 për Komunën e Novobërdës është 3.075.633 euro, nga të cilat 347.721 euro janë ndarë për investime kapitale: rrugë, ujësjellës, ndriçim. 

Pjesa më e madhe e parave nga arka komunale janë të destinuara për pagimin e pagave në administratën publike, arsim, shëndetësi, dhe pjesa tjetër shkon në buxhet për zhvillimin e komunës.

Rrugët në fshatrat Stanishor, Makresh i Epërm, Strazhë dhe në lagjet e fshatit Izvor janë asfaltuar.

“Këtë vit, siç është planifikuar, kemi asfaltuar rreth katër kilometra rrugë në katër lokacione të ndryshme”, thotë zyrtari komunal për informim Sinisha Markoviq. 

Meqenëse Novobërda është komunë e varfër, ka nevojë për shumë investime kapitale.

Përveç rrugëve, është investuar edhe në rinovimin dhe pajisjen e objekteve që janë të rëndësishme për qytetarët. Shtëpia e Kulturës në Koretishë është pajisur me orenditë e nevojshme, është paralajmëruar rindërtimi i rrugës midis fshatrave Kushcë e Epërme dhe Stanishor, si dhe ndërtimi i një ure në atë pjesë.

Goran Stojanoviq nga Bostani pohon se kanalizimi atmosferik është bërë në mënyrë jo të duhur dhe se gjatë punimeve është zëvendësuar gypi i diametrit FI – 1000 me një të diametrit më të vogël, për shkak të së cilit uji vërshon në oborrin e tij gjatë shirave të mëdha dhe rrezikon shtëpinë e tij. 

Nga Komuna e Novobërdës thonë se ekipet e tyre e kanë evidentuar problemin dhe se zgjidhja aktuale është vetëm e përkohshme.

“Meqenëse gypi i mëparshëm ishte dëmtuar, e zëvendësuam atë. Gypi që është instaluar aktualisht është një zgjidhje e përkohshme dhe e nevojshme në mënyrë që uji atmosferik të mos dëmtojë rrugën e asfaltuar. Gypi problematik do të zëvendësohet në muajt e ardhshëm”, konfirmoi zyrtari për informim, Sinisha Markoviq. 

  Sabri Jashari, një rom nga Bostani, tërheq vërejtjen për një problem tjetër në fshat. Rruga që të çon në shkollë është e pandriçuar, gjë që paraqet problem për fëmijët që kthehen nga shkolla prej ndërrimit të pasdites. Rrezik shtesë për të gjithë ata që kalojnë këtej, sidomos natën, janë kabllot e varura në shtyllë. 

Sabri Jashari tregon kabllot që janë rrezik për banorët e Bostanit

„Ndriçimi rrugor afër shkollës ekziston, por ka pësuar dëme gjatë një aksidenti të komunikacionit, kur një kamion dëmtoi dy shtylla. Komuna e Novobërdës ka kontratë me kompaninë që e ka obligim të zëvendësojë dy shtyllat e dëmtuara në të ardhmen e afërt dhe pritet që kjo të bëhet në ditët në vijim”, ishte përgjigjja e komunës. 

Banorët nga lagjja rome në Bostan thonë se u ishte premtuar shtrimi i rrugës dhe vendosja e ndriçimit. Rruga nuk është asfaltuar kurse ndriçimi është instaluar vetëm në disa shtylla, kështu që rruga është e pandriçuar në të gjithë gjatësinë e saj.

Nga Komuna konfirmojnë se është planifikuar instalimi i ndriçimit rrugor në këtë rrugë. 

“Sipas vlerësimit të shërbimit tonë, në këtë rrugë mungojnë tri shtylla elektrike. Kërkohet edhe asfaltimi në gjatësi prej 20 metrash. Të gjitha këto punime janë planifikuar për vitin e ardhshëm”, tha Markoviq. 

Millivoje Paviq është mbi 80 vjeç dhe për të shkuar deri te mjeku në Pasjan ose Graçanicë i duhet të ecë dhjetë kilometra e të pret për autobusin në Llabjan sepse transport tjetër nuk ka. 

Zyrtari për Informim i Komunës, Sinisha Markoviq, thotë se transportuesve privat nuk u leverdis të qarkullojnë në këtë pjesë të komunës së Novobërdës dhe të mbajnë vijë sepse nuk kanë numër të mjaftueshëm të udhëtarëve por autoritetet komunale janë duke u përpjekur për ta zgjidhur problemin.  

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Komuna e Novobërdës në periudhën e kaluar ka siguruar transport humanitar të banorëve. Kjo do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme”, tha Markoviq. 

Banorët shqiptarë nga fshati Pasjak janë ankuar për shkak të deponisë ilegale afër arave të tyre. Ata kërkojnë që komuna të reagojë dhe të zgjidhë këtë problem. 

“Drejtoria e Inspektoratit së voni ka vendosur tabelat për ndalimin e hedhjes së mbeturinave, e poashtu i është dorëzuar kërkesa kompanisë përgjegjëse që në afat sa më të shkurtër të largohet deponia në fjalë”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).