Thahen fidanet e drunjve e mbjellë para pak ditësh në lagjen 'Kalabria' (FOTO)

Disa prej fidanëve të mbjellë para pak ditësh në lagjen “Kalabria” në Prishtinë janë tharë.

Këta fidanë janë blerë nga komuna e Prishtinës, ndërsa janë mbjellë nga ndërmarrja komunale ‘Hortikultura’ e cila ka për detyrë edhe mirëmbajtjen e tyre.

Nga disa pamje të siguruara nga KALLXO.com shihet se një pjesë e këtyre fidanëve nuk janë në gjendje të mirë.

Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve në Prishtinë ka thënë se këta drunj janë në gjendje të shëndetëshme dhe kanë specifika që rekomandohen  për mbjellje.

“Drunjtë në lagjen Kalabria (afër “banesave të arabëve”) janë blerë përmes kontratës për furnizim me drunjë dekorativ dhe janë mbjell nga NPL Hortikultura, e cila ka kontratë me Drejtorinë e Parqeve, drunjtë e mbjellur janë në gjendje të shëndetshme dhe kanë specifika që rekomandohen për mbjellje”, ka thënë Hajdari për KALLXO.com

Hajdari tutje potencoi se, në rast të tharjes eventuale të drunjve të mbjellur në qytet,  si drejtori obligohen t’i zëvendësojnë me drunj të ri.

Komuna e Prishtinës për çdo vit ndan mijëra euro në blerje të luleve, fidanëve e drujve dekorativ.

Këtë vit komuna ka shpenzuar 170 mijë euro për blerje të drujve dhe luleve dekorative.

Më poshtë gjeni disa pamje të drujve të tharë në lagjen “Kalabria”: