Prishtina

Termokosi planifikon të përfshijë lagjen "Mati 1" në rrjet të ngrohjes gjatë këtij viti

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” ka në plan që të përfshijë lagjen “Mati 1” në rrjet të ngorhjes gjatë këtij viti.

Punimet nga ana e ngrohtores në këtë lagje janë ende në proces pasi janë duke u kryer njëkohësisht me rikonsturktimin e disa rrugëve në këtë lagje.

Afërdita Uka, zëdhënëse në “Termokos” për KALLXO.com ka bërë të ditur se punimet përgjatë rrugës “Muharrem Fejza” kanë përfunduar, ndërsa nëpër rrugicat deri tek shkolla “Pavarësia” janë ende në proces të realizimit.

“Punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në lagjen “Mati 1”, përkatësisht përgjatë rrugës “Muharrem Fejza” tanimë kanë përfunduar. Ndërkaq, punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes nëpër rrugicat e kësaj lagjeje tek objektet kolektive deri tek shkolla “Pavarësia” janë në proces të realizimit”, ka thënë Uka.

Uka potencoi se sipas planit dinamik të kompanisë konsulente, e angazhuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, fillimi me ngrohje për këtë lagje është në plan të fillojë gjatë këtij viti.

“Sipas planit dinamik të hartuar nga kompania konsulente e këtij projekti, e angazhuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KFW), fillimi i furnizimit me ngrohje për konsumatorët e rinj të kësaj lagje, planifikohet të realizohet gjatë këtij viti, kur pritet të finalizohen gjithë punimet në këtë pjesë të kësaj lagjeje”, theksoi tutje Uka.

Zëdhënësja e Termokos, Afërdita Uka tha se në rrjetin e ngrohjes do të kyçen të gjitha objektet banesore në rrugën “Muharrem Fejza”, dhe rrugicat përreth (rreth 141 objekte) deri tek shkolla “Pavarësia”.

Uka tutje shtoi se rruga “Muharrem Fejza” ka qenë ndër më të ndërlikuarat për të kryer punime, për shkak të hapësirës dhe faktit që është dashur të ruajnë infrastrukturën nëntokësore të kompanive tjera.

“Rruga “Muharrem Fejza” ka qenë një nga pozicionet më të komplikuara, në të cilën punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes kanë qenë mjaft sfiduese. Para së gjithash ka qenë pozicioni i rrugës mjaft i ngushtë, që ka vështirësuar realizimin e punimeve në terren. Pastaj, ka qenë infrastruktura nëntokësore e kompanive tjera publike, që është dashur të ruhet gjatë intervenimit”, tha ajo.

Sipas Ukës, sfidues për ta ka qenë edhe ndryshimi drastik i gjendjes në terren, ku prej kohës kur kanë hartuar planin për zgjerim deri në fillim të punimeve, janë ndërtuar edhe 31 objekte të reja që i ka detyruar të bëjnë ridizajnim të planit.

“Sfidues ka qenë edhe ndryshimi drastik i gjendjes në terren, nga koha kur është hartuar plani për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në këtë lagje deri në momentin e fillimit të realizimit të punimeve, për arsye se në mes kësaj hapësire kohore nga planfikimi deri tek realizimi, në këtë lagje janë ndërtuar edhe 31 objekte të reja banesore, për inkorporimin e të cilave në rrjetin e ngrohjes, është paraqitur domosdoja e ridizajnimit të këtij plani”, ka thënë Uka.

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” ka shtrirje në disa lagje të qytetit si: “Ulpiana”, “Dardania”, “Kalabria”, “Qendra”, një pjesë e lagjes “Aktash” dhe tani lagjja “Mati 1”.

Nga komuna është thënë që “Termokos” nuk ka kapacitet të bëjë shtrirje të rrjetit nëpër lagjet periferike.

Për këtë, komuna ka në plan të zhvillojë ngrohjen me panele solare, projekt ky që do jetë i dyti më i madhi në Evropë.

Panelet solare planifikohet të vendosen në prona të komunës së Obiliqit.

Komuna ka në plan që për një afat prej 4 vitesh të fillojë implementimin e këtij projekti.