Foto: Radiator

Termokos: Kënaqshmëria e konsumatorëve me shërbimet e ngrohjes 98.4%

Ngrohtorja e Prishtinës ‘Termokos’ në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ka realizuar raportin për kënaqshmërinë e konsumatorëve me shërbimet e kësaj ndërmarrje.

Sipas tyre, raporti shënon rritje progresive të vazhdueshme.

“Me qëllim të vlerësimit të shkallës së kënaqshmërisë së konsumatorëve tanë dhe në përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e shërbimeve të ofruara, NP “Termokos” SH.A. në bashkëpunim me Fakultetin e Inixhinierisë Mekanike, këto ditë ka realizuar Raportin për hulumtimin e kënaqshmërisë së konsumatorëve, në bazë të cilit kënaqshmëria e konsumatorëve në raport krahasues me raportet e viteve të kaluara ka një rritje progresive të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.

Sipas  ‘Termokos’ nga 250 respondetët e intervistuar, të shpërndarë nëpër të gjitha lagjet ku ofrohen shërbimet e ngrohjes: “Qendër”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Bregu i diellit” dhe “Kalabria”, në pyetjen se sa janë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes, 98.4% e tyre janë shprehur të kënaqur me shërbimin e ofruar, kundrejt 1.6% të të intervistuarëve, që janë deklaruar të pakënaqur me këtë shërbim.

Nga ngrohtorja bëhet e ditur se pjesa dërmuese e respondentëve apo 93.2% janë të kënaqur edhe me faturimin e ngrohjes, ndërsa të pakënaqur janë deklaruar 6.4% e të intervistuarëve.

Ndërkaq, sa i përket pyetjes se sa orë brenda 24 orëve kanë reduktime të ngrohjes, 98% e respondentëve janë deklaruar se nuk kanë fare reduktime.

Në pyetjen se sa janë të kënaqur me opsionet e ofruara për pagesën e faturave 88.8% e konsumatorëve janë deklaruar të kënaqur me opsionet e ofruara për pagesë.

Tutje, sipas Termokos, në pyetjen e cila konsumatorëve u është parashtruar për herë të parë në hulumtimet e zhvilluara deri më tani, se a do të ishte më e favorshme, që faturimi të bëhet me matës të energjisë termike 92.4% e të intervistuarëve janë deklaruar pozitivisht në favor të kësaj metode, ndërsa 7.6% mendojnë se kjo nuk do të ishte metodë me favorshme faturimi për ta.

Një parametër tjetër i vlerësuar nëpërmes këtij raporti është edhe borxhi, që konsumatorët kanë ndaj ndërmarrjes, gjë që, sipas hulumtimit del se vetëm 39.6% prej konsumatorëve të intervistuar janë deklaruar se i paguajnë me rregull faturat e ngrohjes, ndërsa 60.4% e të intervistuarve kanë deklaruar se kanë fatura të ngrohjes të papaguara.