Të shtunën pastrohet rruga "Muharrem Fejza", kërkohet të mos parkohen veturat afër

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 28 maj, nga ora 09:00 do bëjë pastrimin e rrugës “Muharrem Fezja” me rrugët lidhëse.

“Ju njoftojmë se me datën 28.05.2022, ditën e shtunë, nga ora 09:00, Komuna e Prishtinës, do të bëjë pastrimin gjeneral të rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse si dhe hapësirat tjera publike në këtë zonë. Pas pastrimit, do të bëhet edhe rikultivimi i sipërfaqeve të gjelbëruara në këto hapësira”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna ka kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj dite të mos i parkojnë veturat në parkingun paralel me shiritat qarkullues e as në trotuare.

“Komuna e Prishtinës kërkon nga banorët e lagjes që këtë ditë të mos i parkojnë automjetet në parkingun paralel me shiritat qarkullues të rrugës dhe as në trotuare për të mos penguar në realizimin e punimeve”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas komunës, në rast se nuk respektohet ky njoftim, nuk do të marrin përgjegjësi për dëmtim të veturave.

“Lusim qytetarët të bashkëpunojnë sepse në rast të mos respektimit të këtij njoftimi nuk do të marrim përgjegjësi për dëmtime të veturave apo mjeteve tjera motorike në këto rrugë dhe hapësira tjera publike të kësaj zone”, thuhet nga komuna.