FOTO: Soliteret

Të hënën nisin punimet në renovimin e 'Soliterëve' në Ulpianë

Të hënën pritet të nisin punimet për renovimin dhe përmirësimin e furnizimit me energji të ripërtëritshme tek ‘Soliterët’ në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook.

Projekti është në bashkëfinancim me Millenium Foundation Kosovo.

“Lajm fantastik për banorët e lagjes “Ulpiana”. Nënshkruam “Marrëveshjen e Bashkëfinancimit” me Millennium Foundation Kosovo për rinovimin dhe përmirësimin e furnizimit me energji të ripërtërishme në Ndërtesat Shumëbanesore, të njohura për qytetarët si ‘Soliterët e Ulpianës’. Punimet do të fillojnë të hënën”, ka shkruar Rama.

Në mars të vitit të kaluar Komuna e Prishtinës njoftoi se në bashkëpunim me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) do bëjë renovimin e fasadave dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike te ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’.

Përfaqësuesi i MCC-së, Petrit Selimi, gjatë vitit të kaluar në një konferencë përe media me ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte deklaruar se 60% e investimit do mbulohet nga MCC, 30% nga komuna dhe 10% Ndërmarrja Banesore dhe banorët.

Atë kohë u tha se ka mbetur të zgjidhet fasada dhe të nis procesi i tenderimit, derisa punimet pritej të përfundonin në pranverën e vitit 2022.

Rina Meta nga MCC për Kallxo.com pati deklaruar se  vonesat për implementim të këtij projekti kanë pasur të bëjnë me zgjedhjen e fasadës (pasi donin të ruajnë identitetin), analizat për përmbajtjen e mundshme të azbestit si dhe aprovimi nga banorët.

Zvarritja e renovimit të fasadës së ‘Soliterëve’