Ramiz Lladrovci. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sqarimi i Lladrovcit për mungesën e ujit në 22 fshatra të Drenasit

Mungesa e ujit të pijës për afër 70 për qind të fshatrave të Drenasit, është njëra nga shqetësimet e banorëve që u ngrit në emisionin “Jeta në Komunë”, me të ftuar kryetarin Ramiz Lladrovci përballë gazetares Jeta Xharra dhe asamblistëve opozitar.

Lladrovci ka sqaruar se vitin e kaluar kur ishte koha për të funksionalizuar ujësjellësin, kishte kuptuar se gypat nuk ishin të vendosur siç duhet, e diku nuk kishte fare. Ndaj këtij rasti janë ngritur edhe aktakuza ndaj zyrtarëve të kësaj komune.

Për shkak të situatës, Lladrovci nuk ka dhënë afat kohor se kur do të kenë këto fshatra ujë të pijës.

“Kur e kam kry rrjetin vjet është dasht me pas 22 katune ujë, kur jam shku me u lidh në rrjet primar, kemi pa që s’ka gyp ka qenë një gropë, e gypat s’janë kanë të lidhne. Edhe një segment e ka dergu në hetuesi, më ka marrë një vit e ca për me mujt për me qel, se unë nuk kam drejtë për të pestën herë me qel tenderin. Gjykata i ka ngrit aktakuza edhe janë arrestu zyrtarët”, tha Lladrovci.

“Kur e kemi kry atë pjesë, me ka dal pjesa tjetër prej pompave në Qikatovë të Vjetër deri të bazenat e Feronikelit prapë ska ujë. E kam marrë e kam vendos me pompa prej zjarrfikësve, më ka dal në dhjetë vena uji mbi tokë, ma ka prish edhe asfaltin se nuk ka pas gypa nër tokë”, u shpreh tutje ai.

Ai ka deklarua se në komunën e tij ka të punësuar disa zyrtarë që kanë aktakuzë por që për shkak të moslejimit të ligjit nuk mundet me i suspendu nga puna.

 

Për këtë projekt, janë arrestuar zyrtarë të komunës së Drenasit, një ish-zyrtar dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e një projekti tenderues të disa viteve më parë.

Rastin e ka iniciuar vetë kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili e kishte konfirmuar në një intervistë për KALLXO.com.

Fshatrat që vazhdojnë të mbesin pa ujë të pijshëm janë: Shtuticë, Vërboc, Tërstenik I dhe II, Gllobar, Baicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec, Çikatovë e Vjetër, Krajkovë, Shtrubullovë, Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Poklek, Vasilevë,   Nekoc, Kizharekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe Korroticë e Lartë.

Lladrovci flet për KALLXO për ujësjellësin fantazmë në Drenas – VIDEO