Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sokol Haliti premton ujë në tetë fshatra

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në debatin ‘Jeta në Komunë’ është përballur edhe me problemin e ujit të pijes në Viti.

I pyetur nga asamblistja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj- Sadiku se kur në Viti do të zgjidhet problemi me ujin e pijes, Haliti tha se për Vitinë ‘po vinë ditë të mira’.

Madje Haliti premtoi se në 8 fshatra deri në maj të vitit të ardhshëm do të ketë ujë të pijes.

“Uji në Gërmovë është përgatit me u lëshu, uji në Goshicë është përgatit me u lëshu. Në Sllatinë të Epërme, në Sllatinë të Poshtme, Tërstenik, Sodovinë e Qerkezve, Sodovinë e Jerlive do të ketë deri në maj ujë, unë përgjigjem nëse nuk lëshohet uji deri atëherë”, tha Haliti.

Tutje Haliti theksoi se kompania regjionale “Hidromorava” do t`i marrë në mbikqyrje këto fshatra, është Skifteraj, Zhitia, Beguca, ma vonë Budrika do të jetë me Tërpezën, këto do të kryhen në qershor.

Përveç kësaj, në emisionin ‘Jeta në Komunë’ Haliti do të flas edhe për mungesën e kanalizimit, cilësinë e dobët të asfaltit, politizimin e shkollave.

I pari i Vitisë poashtu u ballafaqua me premtimet e tij të dhëna në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

Përveç kryetarit Haliti , prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Bekim Azizi- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Taulant Haxhiu- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nijazi Isaku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj- Sadiku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Valbona Haziri- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërsa të kyqur në Zoom do të jetë i kyçur Florim Brahimi nga organizata ‘Euloc’ në Viti.