Komuna e Skenderajt - kallxo.com

Skenderaj, komuna e katërt me performancen më të mirë sipas raportit të MAPL-së

Komuna e udhëhequr nga Bekim Jashari është renditur e katërta në raportin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal sa i përket performancës së mirë komunale.

Skenderaj me 73,21 për qind është radhitur e katërta, pas Drenasit me 77.04 % , Hanit të Elezit 75.78 % dhe Rahovecit 75.20 %.

Por të ofrimi i shërbimeve administrative, Komuna e Skenderajt është radhitur e 11-ta me 83.20 për qind, pas Prizrenit që ka 85.26 %.

Sipas raportit të MPL-së, kjo fushë përfshinë shërbimet publike administrative (SHPA) dhe efikasitetin e shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve, personave fizik dhe juridik, nga organet e komunës për çështjet që lidhen me kompetencat e tyre dhe të cilat kalojnë nëpërmjet Qendrës për Shërbimin e Qytetarëve në Komunë. Gjithashtu, matë gatishmërinë e komunave për të ofruar shërbime administrative në formën online apo përmes e-kioskut.

Ndërsa, e 20-ta është radhitur sa i përket transparencës komunale. Në këtë fushë Skenderaj është vlerësuar me 85.08 për qind, pas Malishevës 87.20 %.

Përmes kësaj fushe, synohet të arrijnë rezultate në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardeve të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencën buxhetore dhe prokurimin publik.

Për përgjegjshmëri komunale, Skenderaj është radhitur e 11-ta me 73.84 për qind. Në këtë fushë përfshihet puna e zyrtarëve dhe ndërmarrjet e veprimeve ligjore karshi veprimeve të tyre që kanë qenë ndesh me ligjin.

“Në kuadër të kësaj fushe, vërejmë performancë të lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim detyrës zyrtare. Sipas të dhënave aktakuza për vepra të tilla penale ka pasur për 28 zyrtarë në 9 komuna, prej të cilëve 13 janë raportuar të jenë suspenduar. Në përqindjen prej 93.06% në nivel të këtij treguesi ka ndikuar numri i madh i komunave në të cilat nuk kanë pasur raste me aktakuza për zyrtarët publik, që sipas SMPK-së konsiderohet performancë pozitive”, thuhet në raportin e MAPL-së duke shtuar se në 36 komuna janë mbajtur 280 takime me qytetarë për projetkbuxhetin, apo mesatarisht 8 takime për komunë.

Tutje, në fushën për Barazi në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare që mbulon përfaqësimin e grupeve të ndryshme në punësim komunal, si dhe shërbimet sociale të grupeve më me nevojë në komuna, Skenderaj renditet e 6-ta me 73.92 për qind.

Raporti sqaron se në kuadër të punësimit treguesit masin nivelin e punësimit të personave me aftësi të veçanta në institucionet komunale, si dhe përqindjen e përfshirjes së komuniteteve joshumicë.

Rinia, Sporti dhe Kultura, Komuna në krye me Bekim Jasharin është radhitur e 15-ta në këtë fushë me 75.9 për qind.

Në kuadër të kësaj fushe maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave. Sipas raportit të MPL-së, fusha mbulon edhe shërbimet e ofruara nga komunat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive.

Por, e para më 100 për qind është radhitur në fushën menaxhimit të fatkeqesisisë. Kjo fushë matë planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e sistemit të organizuar të komunës për tu përgjigjur ndaj dukurive të shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara dhe nga fuqitë tjera.  “Fusha ka vetëm një rezultat dhe dy tregues, që kryesisht vlerësojnë realizimin e planit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, si dhe nivelin e përgjigjeve të institucioneve komunale ndaj rasteve të paraqitura në këtë fushë”, thuhet në raportin e vitit 2019.

Ndërsa e treta është renditur me 80.67 në fushën e planifikimit hapësinor, pas Klinës 89.58 % dhe Zveçanit 83.33 %. Në kuadër të kësaj  fushe matet zhvillimi hapësinor komunal nëpërmjet instrumenteve të planifikimit hapësinor, por edhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve komunale.

“Sipërfaqja e territorit të komunës e mbuluar me plane rregulluese të hollësishme është në shkallë prej 14.05%. Sa i përket lejeve ndërtimore, nga 5391 kërkesa të parashtruara për leje ndërtimi, nga komunat u shqyrtuan me kohë 4150 kërkesa apo 85.55%.  Sipas të dhënave, ndërtesat e reja për të cilat u lëshuan leje ndërtimore, u inspektuan në shkallë prej 73.86%”, thuhet në raportin e MPL-së.

E treta ka dalë edhe në fushën e hapësirave publike me 71.5 %, pas Prishtinës 100% dhe  Junikut 80.4%. Kjo fushë matë hapësirat publike të cilat janë me interes për qytetarët, menaxhohen nga komunat dhe të cilat ndikojnë në cilësinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve.

Raporti tregon se përpos nivelit të hapësirave të gjelbra për kokë banori, kjo fushë matë edhe sipërfaqen e hapësirave publike të cilat mirëmbahen rregullisht nga komunat, si dhe numrin e hapësirave publike të përcjella me ndriçim publik.

Por, e 14-ta është renditur në fushën e infrastrukturës rrugore. Skenderaj në këtë fushë ka 58.36 për qind.

Kjo fushë matë rrugët komunale dhe infrastrukturën përcjellëse që janë nën kompetencën e komunës, që përfshinë edhe përmisimin e infrastrukturës rrugore me trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikletave.

Ndërkaq, në ofrimin e transportit publik për qytetarët, Komuna e Skenderajt është radhitur e treta me 98.7 për qind, pas Junikut 100% dhe Deçanit 99.1 %.

Përderisa në vendin e katërt është vendosur sa i përket parkingjeve publike. Në këtë fushë Skenderaj ka 72.3 për qind.

“Hapësirat për parkim publik janë vende në pronësi publike dhe private, me një numër të caktuar të vendeve të parkimit, të ndërtuara me standardet e kërkuara dhe të caktuara për parkimin e mjeteve motorike. Për më tepër, kjo fushë matë  numrin e parkingjeve në komunë dhe numrin e vendparkimeve kundrejt veturave të regjistruara në komunë, po ashtu sa ka vende për taksi kundrejt numrit të taksive të licencuara dhe sa parkingje publike kanë vende të rezervuara për persona me nevoja të veçanta”, thuhet në raport.

Tutje, raporti shpalos se për sigurimin apo furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimin e projekteve komunale për ujë të pijshëm, Skenderaj ndodhet në vendin e 21-të pas Drenasit, me 80.38 për qind.

Listës i prin vetëm një më lartë në fushën e kanalizimit. Komuna e Bekim Jasharit është renditur e 20-ta me 40.18 për qind në trajtimin e ujerave të zeza.

“Kjo fushë matë përfshirjen e ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve në sistemin e kanalizimit si dhe realizimin e projekteve komunale për rrjet të kanalizimit. Po ashtu, ky tregues matë edhe përfshirjen e vendbanimeve të komunës në rrjetin për trajtimin e ujërave të zeza si një nga faktorët mjaft të rëndësishëm në ambient, kushte të jetesës dhe shëndetin publik. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 36.51%”, thuhet në raportin e Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Ndërkaq, të fusha e menaxhimit të mbeturinave që matë mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave në komunë si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave, Skenderaj është e 26-ta me 67.56 për qind.

Në fushën tjetër që është mbrojtja e mjedisit, Skenderaj ka dal e katërta me 93.3 për qind.

“Kjo fushë matë veprimet e komunës përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror dhe jetësor (urban dhe rural) nga dëmtimi, degradimi apo ndotja si pasojë e veprimtarisë njerëzore ose të ndikimit natyror. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 65.64%. Vërehet një ngritje prej 2.1% krahasuar me vitin paraprak që kishte një performancë të përgjithshme prej 66.1%”, thuhet në raport.

Ndërsa, te përfaqësimi gjinor që matet më gjerësisht në këtë fushë duke përfshirë qasjen e të dy gjinive në programet për zhvillim social, ekonomik, si dhe në aktiviteteve komunale, Skenderaj është vendosur e 12-ta me 46.3 për qind.

Sa i përket arsimit parauniversimtar, kjo komunë është radhitur e katërta me 75.2 për qind.

“Ky tregues synon rezultate në hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë,  rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë. Kjo fushë ka performancën e përgjithshme në nivel prej 66.60%. Në përgjithësi, në treguesit e arsimit të dhënat e raportuara nga komunat nuk kanë qenë të plota, kështu që përqindjet e fituara mund të paraqesin një vlera relative të saktësisë”, thuhet në raportin e MPL-së.

Kurse, të fusha që përfshin kujdesin primar shëndetësor, e që matë infrastrukturën dhe hapësirat e destinuara për shëndetësinë primare, resurset dhe personelin e mjaftueshëm, si dhe ofrimin e shërbimeve nga niveli komunal, Skenderaj është renditur e 20-ta me 42.34 për qind.

Ndërsa në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, Komuna e Skenderajt është renditur e 6-ta me 88.3 për qind.

“Kjo fushë mate aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në prone. Kjo fushë ka performancën e përgjithshme prej 59.35%”, thuhet në raportin e MPL-së.