Ndertesa e Komunes se Pejes, Photo: Atdhe Mulla.

Si u vlerësua Komuna e Pejës në vitin 2019 nga Ministria e Pushtetit Lokal

Ministria e Pushtetit Lokal në Kosovë përmes një raporti të publikuar ka vlerësuar performancën e Komunave, duke u ndalur në 19 fusha e tregues të ndryshëm për fushat përkatëse.

Komuna e Pejës është vlerësuar më 67.2 %, duke hyre kështu në mesin e 22 komunave që kanë arritur performancë mbi mesataren e përgjithshme.

Ka fusha ku komuna e Pejës është renditur në mesin e komunave me mesataren me të lartë se ajo e përgjithshme e vlerësimit, dhe fusha të caktuara nën mesataren e përgjithshme.

Në fushën e Shërbimeve Publike Administrative, duke marrë si tregues efikasitetin e organit komunal në shqyrtimin e kërkesave të personave fizik dhe juridik, komuna e Pejës ka pasur një shkallë të lartë të vlerësimit që kap vlerën e 86.33, ndërsa ka komunë që përqindja në përmbushjen e treguesve është në 96.50%.

Një fushë tjetër që komuna e Pejës ka treguar nivel të lartë të vlerësimit sipas raportit të ministrisë është fusha e transparencës komunale.

Këtu si tregues janë marre rezultatet në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardeve të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencën buxhetore dhe prokurimin publik.

Komuna e Pejës është vlerësuar më 99.89% në këtë fushë, duke u renditur kështu në mesin e 16 komuna të cilat kanë treguar performancë në mes 90-100%.

Përgjegjshmëria komunale është inkuadruar si një fushë e re në SMPK-së dhe ka gjithsej 22 tregues, ku, raporti shfaq një performancë të lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim detyrës zyrtare.

Komuna e Pejës  në këtë fushë është vlerësuar me 74.39%.

Në mandatin e kryetarit Gazmend Muhaxheri, Komuna e Pejës ka pasur mjaftë raste te zyrtarëve që kanë pasur aktakuza e janë ballafaquar me procese gjyqësore.

Performancë më të ulët Komuna e Pejës ka shënuar në fushën e Barazisë në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare.

Raporti tregon se në kuadër të punësimit treguesit masin nivelin e punësimit të personave me aftësi të veçanta në institucionet komunale, si dhe përqindjen e përfshirjes së komuniteteve joshumicë, ndërsa Komuna e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri ka shënuar një vlerësim prej 51.05, ndërsa komuna si ajo e Ferizajit ka arritur të kap shifrën prej mbi 94%.

Në kuadër fushës ku maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave, komuna e Pejës shënon një përqindje prej mbi 97.

Menaxhimi i fatkeqësive është një fushë tjetër e përfshirë në raport, e që matë planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e sistemit të organizuar të komunës për t`u përgjigjur ndaj dukurive të shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara dhe nga fuqitë tjera.

Performanca e përgjithshme në këtë fushë është 77.19%, ndërsa Komuna e Pejës është vlerësuar me 90%.

Në fushën e planifikimit, Peja ka pasur një nivel me të ulet të vlerësimit ku shprehur në përqindje kap vlerën prej 60.75.

Ish-drejtori i Inspekcionit në komunën e Pejës është duke u  përball me ligjin për çështjen e ndërtimeve pa leje.

Komuna e Pejës po konsiderohet që nuk ka arritur të menaxhoje me fushën e hapësirave publike të cilat janë me interes për qytetarët, dhe që ndikojnë në cilësinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve.

Peja në këtë fushë ka kapur një përqindje prej mbi 54.

Performancë nën vlerën e përgjithshme, komuna e Pejës ka shënuar në fushën e infrastrukturës rrugore.

Kjo fushë është plotësuar me tregues të ri për të nxitur përmirësimin e infrastrukturës rrugore me trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikletave.

Performanca e përgjithshme në këtë fushë vlerësohet në shkallë prej 46.76%, ndërsa Peja ka një % prej 38.31.

Se qytetarët Pejan kanë vështirësi lidhur me hapësirat për parkingje e vërteton edhe ky raport i ministrisë për vitin 2019.

Peja në këtë fushë është vlerësuar nën mesataren, ku vlera mesatare është përllogaritur të jetë  40.41%, ndërsa Komuna e Pejës është vlerësuar me 24.07%.

Në përqindje të plotë prej 100%, Peja ka shënuar në fushën e sigurimin apo furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimin e projekteve komunale për ujë të pijshëm.

Në fushën e kanalizimeve përjashtuar këtu trajtimin e ujerave të zeza, komuna e Pejës shënon një vlerë prej 40.97%.

Në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ku si tregues është marrë  mbledhja dhe deponimin e mbeturinave në komunë si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave, komuna e Pejës radhitet në 3 komunat me vlerësim maksimal.

Në fushën qe nderlidhet me mbrojtjen e mjedisit me veprimet e komunës përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror dhe jetësor nga dëmtimi, degradimi apo ndotja si pasojë e veprimtarisë njerëzore ose të ndikimit natyror, komuna e Pejës nuk radhitet ne mesin e komunave me performacën më të mirë.

Fusha e barazia gjinore në komuna në këtë raport është vlerësuar të jetë  mjaftë e lartë në institucione komunale ku mesatarisht 80.66% e komunave përmbushin standardin e kërkuar.

Referuar raportit përfaqësimi gjinor në këshillat lokale është tejet i ulët dhe shumica dërmuese e komunave nuk kanë asnjë grua që udhëheq këto këshilla. Përfaqësimi gjinor tek emrat e rrugëve komunale është tejet i ulët po ashtu edhe regjistrimi i pronave në emër të një grua apo dy gjinive.

Komuna e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri në këtë fushë vlerësohet afër mesatares, në vlerë prej mbi 39%, e vlera me e lartë në komuna në këtë fushë kap shifrën afër 60%.

Nën vlerën mesatare, komuna e Pejës ka treguar performancë në fushën e arsimit parauniversitar, tregues që synon rezultate në hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë,  rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.

Komuna e Pejës nuk ka deklaruar të këtë çerdhe në zonat rurale.

Performancë jo të mirë, apo nën vlerën e përgjithshme mesatare, Komuna e Pejës ka shënuar në fushën e kujdesit primar shëndetësor.

Vlera e përgjithshme në këtë fushë llogaritet të jetë 51.19%, ndërsa komuna e Pejës ka arritur vlerën prej 46.04%.

Një fushë e re në raport është ajo e Zhvillimit Ekonomik Rural, fushë që matë aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në prone.

Kjo fushë ka performancën e përgjithshme prej 59.35% ndërsa komuna e Pejës ka shifrën prej mbi 70%.