Adem Demaçi. Foto: Facebook
Shtatorja e Adem Demaçit dhe vepra artistike ‘Kurrë mos thuaj kurrë’ shumë shpjetë në Prishtinë
Vepra artistike që do mbajë emrin ‘Never say never’ bashkë me shtatoren e Adem Demaçit shumë shpejtë do vendosen në Prishtinë.
Komuna e Prishtinës pritet të nderojë veprimtarin e shquar Adem Demaçi me një shtatore dhe vepër artistike me thënien e tij ‘Kurrë mos thuaj kurrë” drejtuar politikanit serb, Vuk Drashkoviq.
Me këto fjalë Demaçi i ishte drejtuar politikanit serb në vitin 1993, kur ai kishte thënë se Kosova kurrë nuk do pavarësohej nga Serbia.
Shtatorja dhe vepra artistike pritet të vendosen në parkun e ‘Adem Demaçit’ në hyrje të Prishtinës që më herët njihej si ‘Parku i martesave’.
Kuvendi Komunal sot me shumicë votash ka aprovuar vendosjen e kësaj vepre artistike me fjalët ‘Never say Never’, kurse për lokacioni për shtatoren është vendosur në vitin 2019.
Grupi parlamentar i LDK-së nuk ka votuar pikën për monumentin “Never say never” pasi ata konsideruan se njëherë duhet të vendoset shtatorja e Adem Demaçit pastaj të vendosen monumentet tjera.
Nga LDK po ashtu u tha se drejtoria përkatëse duhet të vijë me detaje se si do duket monumenti, çfarë mbishkrimi do vendoset, lokacioni i saktë, materiali e detaje tjera.
Sipas tyre, i gjithë ky projekt është i ngutshëm, pasi kemi të bëjmë me një figurë historike dhe kombëtare.
Shefki Gashi nga LDK tha se nuk është e mundur që me pesë minuta sqarim të drejtorisë të bëhen të ditua të gjitha detajet e projektit.
“Projekti duhet të jetë i përgatitur, ka shumë detaje që duhet të bëhen të ditura. Ai është personalitet që gëzon respekt tek populli dhe nuk duhet të ngutemi”, ka thënë Gashi.
Derisa Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje, i akuzoi se vazhdimisht kanë votuar këmbime të pronave pa e ditur se çfarë japin e çfarë marrin, kurse një monument të veprimtarit që sakrifikoi shumë nga liria e tij, po e vënë në pikëpyetje.
Sipas, hartuesve të projektit, shtatorja dhe vepra artistike janë të vëna në atë mënyrë që figura e tij të jetë në pah kryesor.
Komuna ka në plan që vepra artistike ‘Never say never’ të vendoset deri në tetor të këtij viti.
Përpos veprës artistike me fjalët e Adem Demaçit, komuna do vendos edhe një vepër tjetër me emrin ‘Ushtari i panjohur’ në lagjen ‘Dardania’, që u kushtohet ushtareve gra që nuk kanë monumente.
Prishtina do të bëhet me vepër artistike për gratë ushtare