Shpend Ahmeti mungon në diskutimin publik për Planin Zhvillimor, qytetarët e konsiderojnë se janë injoruar

Qytetarë të komunës së Prishtinës kanë konsideruar se janë injoruar nga kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, pasi ky i fundit nuk ishte prezent në diskutimin publik që po mbahet për Planin Zhvillimor Komunal.

Komuna e Prishtinës ka organizuar diskutim publik me qytetarët, për të diskutuar për skenarët e propozuar për Planin Zhvillimor Komunal, ndërsa diskutimi po mbahet për Zonën Urbane të qytetit, si dhe Zonat Rurale.

Para fillimit të diskutimit për Zonat Rurale, qytetarët u shprehën të shqetësuar se as kryetari Ahmeti, as nënkryetarët e askush nga kabineti i kryetarit nuk janë prezent në këtë diskutim.

Një qytetar gjatë fjalës së tij tha se nuk është e ‘arsyeshme mungesa e kryetarit në diskutim’, kurse një tjetër tha se ‘kryetari në asnjë diskutim publik nuk merr pjesë’.

Disa qytetarë pjesëmarrës gjithashtu u shprehën të shqetësuar që ky diskutim publik nuk është duke u xhiruar nga administrata e komunës, kurse nga udhëheqësi i projektit për Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës, Blerim Krasniqi, u tha se është duke u mbajt shënime dhe procesverbal.

Komuna e Prishtinës hap thirrje për diskutim publik lidhur me skenarët zhvillimor