Shpend Ahmeti: Këtë vit përfundon ndërtimi i QMF-së në Veternik

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Bujar Gashi, kanë inspektuar punimet për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Veternik.

Ahmeti ka thënë se me ndërtimin e kësaj qendre do kompletohet rrjeti i qendrave të mjekësisë në Prishtinë.

Ai shtoi se banorët  e kësaj zone janë trajtuar në lagjet “Kalabria” dhe “Mat”.

“Jemi këtu sot në inspektimin e punës që është bërë në ndërtimin e QMF (zona perëndimi), me të kompletohet rrjeti i qendrave të mjekësisë familjare. Kjo pjesë e qytetit nuk ka qenë e mbuluar me rrjetin tonë të QMF-ve. Shumica e banorëve kanë marr trajtim në ‘Kalabri ‘apo ‘Mat’, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti tutje shtoi se ndërtimi i kësaj qendre pritet të përfundojë gjatë këtij viti.

“Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme edhe e banorëve të lagjes ‘Qëndresa’ por, edhe nga ‘Prishtina e Re’. Deri në fund të vitit do përfundojë kjo qendër e mjekësisë familjare dhe do ofrojë të gjitha shërbimet, përfshirë laboratorin”, potencoi i pari i Prishtinës.

Ahmeti tutje theksoi se sa u përket shërbimeve, QMF-të i bëjnë konkurrencë edhe sektorit privat, ku si test për ta konsideron se ka qenë situata me pandeminë.

“Pjesa e shëndetësisë shpesh nuk përmendet, dhe për këtë më vjen mirë sepse mund të them se i bëjmë konkurrencë sektorit privat, jemi komunë që kemi ofruar më së shumti teste, shpesh duke i kaluar numrin që ofron ministria e shëndetësisë. Testi kryesor për ne ka qenë pandemia, duke kryer të gjitha shërbimet në qendrën tonë në ‘Kalabri’” theksoi Ahmeti.

Kryetari Ahmeti tha se shkolla po ashtu do jetë në anën tjetër, ndërtimi i së cilës do fillojë shumë shpejt.