Salla Koncertale 'Germia'

Shpallet projekti fitues për Sallën Koncertale ‘Gërmia’

Është shpallur fituesi për projektin ideor të sallës koncertale ‘Gërmia’.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Kulturës në komunë, Adrian Berisha.

Më 12 mars të këtij viti, komuna shpalosi projekt-propozimet për Sallën Koncertale.

Kurse, në bazë të asaj që ka vendosur juria profesionale, projektet janë vlerësuar si më poshtë:

Çmimin e I-rë shkon për projektin me titull “One Roof – Germia for Concert Hall” i autorit japonez të njohur botërisht, Kengo Kuma, i cili bashkëpunoi me disa studio arkitekturore për të ardhur deri te ky projekt;

Çmimi i II-të shkon për Shkelqim Osmani, Vizion Projekt, MA Studio dhe partnerët, si dhe;

Çmimi i III-të për projektin e Prof. Arber Sadiki, i cili bashkëpunoi me G+A Architects.

“Ky është hap i radhës që është ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës për jetësimin e sallës koncertale dhe në bashkëpunim ndër-institucional ne do të vazhdojmë angazhimin për hapat e ardhshëm deri në finalizimin e projektit të Sallës Koncertale Gërmia. Ky projekt është i domosdoshëm për qytetarët e artistët e qytetit tonë”, ka shkruar Berisha.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kulturës në komunë, salla koncertale pritet të ketë kapacitet prej 800 ulëseve për sallën e madhe dhe 200 ulëse për sallën e vogël (Jazz salla).

Salla Koncertale pritet të bëhet në ish shtëpinë e mallrave ‘Gërmia’, ku tani janë një pjesë e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Salla Koncertale ‘Germia’
Salla Koncertale ‘Germia’