Salla në Pallatin e Rinisë tani e 21 vite e djegur, komuna planifikon ndërtimin e një salle sportesh diku tjetër (FOTO)

Salla Sportive brenda Pallatit të Rinisë është djegur në vitin 2000 dhe prej atëherë nuk është bërë ndonjë ndërhyrje për renovimin e saj.

Kryetarët e komunës vazhdimisht janë arsyetuar se një gjë e tillë nuk mund të realizohej pasi Pallati i Rinisë nuk ishte në pronësi të komunës, por të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Por, në dhjetor të vitit 2017 Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj kishte marr vendim që Pallati të kalojë në pronësi dhe menaxhim të komunës së Prishtinës.

Në fushatën e vitit 2017 për zgjedhje komunale, kryetari Shpend Ahmeti u zotua se Komuna e Prishtinës do përgatis një plan aksional për rimëkëmbjen dhe përfundimin e projektit të Pallatit të Rinisë, si dhe renovimin e sallës së djegur.

Tani Ahmeti është në përfundim të mandatit të dytë, kurse Salla e Djegur vazhdon të shërbejë si parking i makinave.

Nga komuna më herët është thënë që Pallatin e Rinisë e kanë marr me shumë borxhe dhe probleme të qirave, ndërsa për sallën, komuna ka planifikuar të kryejë investim përmes ndonjë granti apo kredie.

Përkundër faktit që komuna deklaron se nuk ka buxhet për investim të Sallën e Djegur, gjatë këtij viti ndau 5 milionë euro për ndërtimin e një sallë sportesh afër Stacionit të Autobusëve në lagjen “Kalabria”.

Madje, sipas hartueseve të projektit, salla e sporteve që pritet të nis në vitin e ardhshëm mund të ketë kosto deri në 8 milionë euro.

Foto: Bekim Ramku/Facebook

Mbetet të shihet nëse projekti për renovim të Sallës së djegur në Pallatin e Rinisë do jetë në buxhetin e vitit 2022 i cili parashihet të jetë 90 milionë euro.