Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rruga ‘Agim Ramadani’, Komuna e Prishtinës me shumë vërejtje për punët e kryera nga operatori ekonomik

Punimet në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë kanë filluar në mesin e vitit 2020 dhe kanë përfunduar në maj të vitit 2021. Punimet u kryen nga operatori ekonomik “RSM Company”. Vlera e tyre, sipas kontratës shkonte deri në 398 mijë euro.

Afati për kryerjen e punimeve ka qenë 180 ditë pune, por për shkak të kushteve klimatike dhe gjendjen me pandeminë COVID-19, në raportin mbikëqyrës të Komunës, thuhet se punimet ishin zvarritur edhe për shkak të punimeve nga ana e KEDS.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një debat televiziv ka deklaruar se punimet në këtë rrugë nuk janë përfunduar për shkak se komuna nuk e ka pranuar punën e kryer, e cila sipas tij, nuk ka qenë kualitative.

Muhamed Emra, zyrtar i lartë për ndërtim në një përgjigje për KALLXO.com ka ndarë disa detaje të raportit të këtyre punimeve.

Në raportin mbikëqyrës të Komunës së Prishtinës, potencohet se ka pasur disa modifikime në disa pozicione të projektit për këto arsye:

Në bazë të prerjes tërthore të trupit të rrugës nga ana e projektuesit, nuk është bërë ndarja fizike e shtegut të biçikletave me shtegun e këmbësorëve me atë të skajoreve të vogla, është harruar ky pozicion, prandaj ka pasur ndryshim.

Shtegu i gjelbërimit sipas projektit, është paraparë të kufizohet me skajore me dimensione 18/24/100 që në kontratë nuk ka qenë e përfshirë, prandaj ka pasur rritje të këtij pozicioni.

Shtegu qarkullues dhe shtegu i biçikletave, në bazë të projektit kryesor, ka qenë në plan të shtresohet me trashësi 5.0 centimetra, ndërsa me paramasë të ofertuar është paraparë 4.0 centimetra.

Për të gjitha këto ndryshime, kompania ka njoftuar edhe organin mbikqyrës, komunën.

Ndërsa, këto janë edhe pozicionet tjera që nuk kanë qenë të parapara me kontratë:

-Matja dhe inçizimi gjeodezik dhe përcjellja e pikave gjeodezike të projektit, si dhe harmonizimi i tyre për vendosje të skajoreve në bazë të kuotave të projektit.

-Zhvendosja, dislokimi i ujëmbledhësve nga shtegu i biçikletave në shtegun e shiritit qarkullues dhe vendosja e gypit 0400 në kolektor si dhe betonimi i tyre.

-Prerja me sharrë e asfaltit për punim të shiritit për çiklizëm në pjesën e asfaltuar.

-Mbushja me dhe të imët në pjesët gjelbëruese në tërë sipërfaqen.

-Thyerja e betonit me dorë përreth objekteve afariste, dislokimi dhe kthimi i shkallëve metalike ekzistuese në pozitën e mëparshme.

-Demolimi i shtyllave metalike-statike dhe transporti deri në deponi të Komunës së Prishtinës.

-Demontimi i pritoreve të autobusëve-komplet konstruksionit dhe transporti deri në deponi të Komunës.

-Furnizimi dhe montimi i ujëmbledhësve të ri, si dhe lidhja e tyre me puseten ekzistuese te trafostacioni i KEK-ut.

Sipas raportit të organit mbikëqyrës, vlera e parealizuar e kontratës është 18 mijë e 424 euro.

Gjithashtu në raport potencohet se gjerësia e shiritit për kthime majtas te fakulteti juridik, nuk është realizuar sipas projektit.

Kjo ka ndodhur për shkak të drunjve ekzistues që gjenden në ishullin e gjelbër dhe ka pamundësuar gjerësinë e shiritit.

Komuna në bazë të këtij raporti ka konstatuar se, në mungesë të pozicionit të ndarjes fizike apo mbrojtjes së shtegut të biçikletave nga parkimi i automjeteve, ka ndikuar në dëmtim të gurëve skajor të trupit qarkullues dhe dëmtim të kubëzave të shtegut për këmbësor, ku operatori herë pas herë është urdhëruar të sajojë dhe nivelizojë pllakat në shtegun për këmbësor.

Në kuadër të kontratës, shtegu i këmbësorëve është paraparë të ketë pllaka dy shtresore.

Në stacionaxhen prej P32 deri në P36, gjegjësisht pjesa e ishullit të mesën e gjelbërimit, ka ngelur pa u trajtuar në mungesë të pozicionit të dislokimit të pemëve, ku është shkaktuar ngushtim i shiritit qarkullues që vështirëson qarkullimin e më shumë se tre automjeteve në distancë më të gjatë.

Si pasojë e mos përfundimit të këtyre punimeve, në këtë rrugë nuk janë vënë ende pritoret për autobusë.

Mbi bazën e këtij raporti mbikyrës, komuna ka dal me konstatim të përgjithashëm se punimet janë kryer në bazë të paramasës dhe parallogarisë.

Në pyetjen se çfarë masa janë marr ndaj kompanisë për gjetjet në raportin mbikëqyrës, Komuna nuk ka ofruar të dhëna, ndërsa i pari i Prishtinës ka deklaruar se kontrata nuk shkëputet pasi do mbesin duke u marr me muaj të tërë në procedura tenderimi.

Kurse, zyrtarë nga ‘RSM Company’ në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se nuk janë në dijeni për deklaratën e kryetarit, Shpend Ahmeti dhe kanë potencuar se të gjitha detajet e punëve janë në raportin mbikyrës të komunës.

Këtu  gjeni raportin e plotë mbikyrës për punimet në rrugën ‘Agim Ramadani’.