Rritja e çmimit të metalit detyron komunën e Prishtinës të ritenderojë projektet

Komuna e Prishtinës do ritenderoj disa projekte për shkak të ngritje së çmimit të metalit.

Në mesin e këtyre projekteve është ndërtimi i strehimores për qentë endacakë dhe vendosja e pritoreve të reja të autobusëve.

Në dhjetor të  vitit 2020 Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë me vlerë 100 mijë euro për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë në Hajvali.

Projekti pas pak muajsh ishte anuluar pasi kompania vendosi të tërhiqej nga tenderi për shkak se çmimi i metalit kishte shënuar rritje.

Ky ndryshim kishte ndodhur mes periudhës prej kur komuna ka hartuar projektin dhe koha deri te ekzekutimi i kontratës nga ana e operatorit ekonomik. Komunës tani do i duhet të ritenderojë këtë projekt me një çmim të ri.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë bërë të ditur se edhe projekti për pritore të autobusëve ka disa muaj që ka stagnuar për të njëjtën arsye ku operatori ekonomik është tërhequr si shkak i ngritjes së çmimit të metalit.

Nga Komuna u tha se do shtojnë edhe 200 mijë euro për tu kompletuar të gjitha pritoret bashkë me panelet informuese.

Zekë Bardhaj nga zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka deklaruar se ndryshimi në çmim të metalit nuk është varur nga ana e operatorëve ekonomik prandaj edhe nuk e kanë parë të arsyeshme që të merren masa për tërheqje nga kontratat.

“Me sa kam njohuri çmimi i metalit është ngritur për 60-70 për qind, gjë që nuk varet asgjë prej operatorëve ekonomik, të cilët pjesën më të madhe të punës e kanë pasur me këtë material. Nuk e kanë parë të arsyeshme as komuna që të merren masa, janë disa operatorë që kanë pësuar nga kjo ngritje”, ka thënë Bardhaj.

Ndërsa, Osman Vishaj nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka thënë se kanë marr shumë pyetje nga autoritete të ndryshme kontraktuese lidhur me ngritjen e çmimit të metalit.

“Kemi pasur shumë pyetje nga autoritete të ndryshme kontraktuese për këtë ngritje të çmimit dhe kërkesat për ndryshim. Ne si KRPP nuk interpretojmë kontrata, por mund të them së kontrata që nënshkruhet mes një operatori ekonomik dhe autoritetit kontraktues është ligj, brenda saj përcaktohen të gjitha kushtet”, ka thënë Vishaj.

Vishaj potencoi se autoritetet kontraktuese duhet të parashohin mundësinë e uljes apo ngritjes së çmimeve që më pas të përfshihet në kontratë.

Ai tutje potencoi se nuk kanë pasur kurrë kërkesa nga bizneset për ndryshim kontrate në rastet kur ka pasur ulje të çmimeve.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit për strehimoren e qenve endacakë, nëse operatori ekonomik e tërheq tenderin ose dështon të plotësoj kushtet e parapara në kontratë, do t’i konfiskohet siguria e tenderit.

Sigurimi i Ekzekutimit konfiskohet edhe në rastin kur ka shkelje të kontratës së nënshkruar, e cila i shkakton dëme materiale autoritetit kontraktues dhe/ose kërkon nga autoriteti kontraktues të bëjë shpenzime materiale për përfundimin e kontratës në fjalë.

KALLXO.com ka tentuar të marr opinion edhe nga kompania ‘Gama Ing’ Sh.p.k si fituese e tenderit për strehimoren e qenve endacak, por nuk ka marr përgjigje deri në momentin e publikimit.